Lajme

BE-ja është e shqetësuar për disa dispozita të Ligjit të ri të Kosovës për Zyrtarët Publikë

Kuvendi i Kosovës, ditën e djeshme, me 58 vota për, asnjë kundër dhe katër abstenime e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Zyrtarët Publikë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka abstenuar për këtë Projektligj, ndërkaq kundër miratimit të këtij kanë dalë PDK, LDK dhe AAK, pasi, sipas tyre ky ligj është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për administratën publike.

E lidhur me Ligjin për Zyrtarët Publikë sot kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian, duke shprehur shqetësim me disa dispozita të këtij ligji.

“BE-ja angazhohet në dialog të vazhdueshëm me autoritetet për të gjitha aspektet e reformës së administratës publike pasi ky është një parakusht kyç për integrimin në BE dhe thelbësor për funksionimin e institucioneve dhe ofrimin e shërbimeve për popullin e Kosovës.

BE-ja është gjithashtu partneri kryesor i Kosovës për sa i përket mbështetjes financiare për këto reforma.

Për të ndihmuar Kosovën të avancojë në rrugën e saj të integrimit në BE në këtë fushë reformuese, BE-ja në bashkëpunim me ekipin e ekspertëve të OECD/SIGMA, ka dhënë komente në disa raste për projektligjin për zyrtarët publikë dhe projektligjin për pagat.

Komentet kishin për qëllim të udhëzojnë dhe mbështesin më së miri qeverinë për të siguruar një shërbim civil të depolitizuar dhe profesional, me një sistem kompensimi transparent të bazuar në merita, në përputhje me parimet e reformës së administratës publike dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

BE-ja shpreh keqardhjen që Kuvendi i Kosovës sot ka miratuar këto dy ligje pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë. Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit. .

BE-ja do të vazhdojë të monitorojë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike në Kosovë, do të raportojë për këto çështje në raportet e saj vjetore për Kosovën dhe mund të rivlerësojë ndihmën e saj në këtë fushë”, thuhet në reagimin e tyre.

/Shqip.com