Lajme Botë

BBC: Skenarët pse po zhvillohet lufta në Gaza; qëllimi i vërtetë i Hamasit dhe Izraelit

Persona të armatosur të Hamasit nisën një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit nga Rripi i Gazës më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng më shumë se 200.

Izraeli u përgjigj me sulme ajrore në Gaza dhe filloi një ofensivë tokësore. Më shumë se 11,500 njerëz janë vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi. Luftimet Izrael-Hamas kanë hyrë në ditën e 41-të. Izraeli dhe SHBA-ja thonë se xhihadi islamik i Hamasit dhe Palestinës ka bazë komanduese në tunelet që shtrihen nën spitalin më të madh të Gazës. Këtë pretendim e ka mohuar vazhdimisht Hamasi.

Cili është synimi i operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza?

Aeroplanët ushtarakë të Forcave Mbrojtëse të Izraelit (IDF) po bombardojnë Gazën përderisa trupat po lëvizin përmes veriut të territorit. Izraeli ka aktivizuar 300 mijë rezervistë, të cilët janë në gjendje gatishmërie. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka insistuar se Izraeli ka “qëllim të qartë për shkatërrimin e ushtrisë së Hamasit dhe aftësive qeverisëse, sikurse edhe lirimin e pengjeve”.

Netanyahu ka refuzuar thirrjet për armëpushim derisa pengjet të lirohen. Ai po ashtu ka thënë se Izraeli do të ketë “përgjegjësi të përgjithshme të sigurisë” për Rripin e Gazës “për periudhë të pacaktuar” pasi lufta të mbarojë. Megjithatë, SHBA-ja e ka paralajmëruar atë se Izraeli nuk mund ta ripushtojë territorin.

Izraeli beson se njësia ushtarake e Hamasit ka rreth 30,000 pjesëtarë. Grupi operon nga tunelet nëntokësore, që dyshohet se shtrihen deri në 500 kilometra.

Lufta në Gaza

Në orët e hershme të mëngjesit së mërkurës, trupat e Izraelit bastisën spitalin Al-Shifa, spitalin më të madh në veri të Gazës. Ushtria e Izraelit ka deklaruar se ishte duke ekzekutuar “operacione precize” dhe u ka mbijetuar eksploziveve dhe “grupeve terroriste”.

Një gazetar brenda spitalit të Gazës ka treguar për BBC-në se ushtarët kanë hyrë në departamentin kryesor të emergjencës dhe se janë pozicionuar tanket përreth spitalit.

Izraeli dhe SHBA-ja thonë se xhihadi islamik i Hamasit dhe Palestinës ka bazë komanduese në tunelet që shtrihen nën spitalin më të madh të Gazës. Këtë pretendim e ka mohuar vazhdimisht Hamasi.

OKB-ja ka deklaruar të martën se më shumë se 4 mijë pacientë, staf dhe persona të zhvendosur ishin brenda objektit të spitalit. Kjo përfshin dhjetëra foshnja të lindura para kohe, të cilat janë hequr nga inkubatorët për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, si dhe pacientë me dializë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” për sigurinë e civilëve brenda spitalit. Ushtria e Izraelit ka dërguar inkubatorë, ushqim për foshnjat dhe mjete mjekësore në spital. Hamasi e ka cilësuar bastisjen “krim lufte” dhe “krim kundër njerëzimit”.

Drejtori për çështjet humanitare në OKB, Martin Griffiths, ka deklaruar se ishte i tmerruar me zhvillimet në Gaza teksa ka bërë thirrje që spitalet të mos shndërrohen në fushëbeteja.

Të martën, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se spitalet dhe pacientët në Gaza duhet të mbrohen, duke shtuar: “Ne nuk duam të shohim luftime në spital”.

Të hënën, IDF-ja ka deklaruar se që prej kur ka filluar konflikti, aeroplanët e tyre dhe forcat tokësore kanë kryer 4 mijë 300 sulme, duke goditur qindra pika nga të cilat janë lëshuar raketat në drejtim të Izraelit

IDF vazhdimisht ka paralajmëruar palestinezët në veriun e territorit t’i lënë shtëpitë për sigurinë e vet dhe të drejtohen nga jugu i lumit Gaza Wadi, por po ashtu ka vazhduar të kryejë sulme ajrore në jug.

OKB-ja ka thënë rreth 200 mijë civilë janë larguar nga veriu i Gazës që nga 5 nëntori. Por që janë gjithnjë e më shumë të shqetësuar nga mbipopullimi i jugut dhe qasja e kufizuar në strehim, ushqim dhe ujë. Po ashtu ka paralajmëruar se qindra mijëra persona – të cilët janë pa dëshirë ose të paaftë për t’u larguar – mbetën në veri dhe mezi ia dalin të sigurojnë sasinë më të vogël të ujit dhe ushqimit për të mbijetuar.

Situata humanitare në Gazë

Krerët e të gjitha agjencive të mëdha të OKB-së kanë bërë thirrje për “armëpushim të menjëhershëm humanitar”, si dhe lirimin e pakusht të pengjeve. Ata kanë thënë se “ndarja e 2.2 milionë palestinezëve nga ushqimi, uji, ilaçet, energjia elektrike dhe karburanti” ishte “shkelje”, dhe që më shumë se 29 mijë personave të plagosur “u nevojitet trajtim i menjëhershëm”.

Vetëm një spital në zonën e qytetit të Gazës – Al-Ahli – është ende në funksion, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare.

UNRWA, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, ka deklaruar se 1.5 milionë banorë të Gazës janë zhvendosur dhe 778,000 po strehohen në strehimoret e OKB-së. Të hënën, IDF-ja ka njoftuar se ka ndërprerë operacionet ushtarake tetë herë në pesë ditët e mëparshme, në zonat e verilindjes në Gaza dhe në qytetin jugor në Rafah.

Shërbimet e telefonit dhe internetit janë ndërprerë vazhdimisht, duke ua pamundësuar njerëzve të telefonojnë ndihmën e shpejtë apo të kontaktojnë me botën e jashtme.

Kufiri i Rafah që kalon përmes Egjiptit deri në jug është e vetmja rrugë funksionale për njerëz dhe mallra që të largohen apo të hyjnë në Gaza. Kalimi u rihap për furnizimet me ndihma më 21 tetor, por vetëm një përqindje e vogël e 500 ngarkesave që më parë vinin çdo ditë aktualisht po hyjnë në Gaza.

Që nga nisja e konfliktit, Izraeli ka ndaluar karburantin në Gaza me qëllim që të mos shfrytëzohet nga Hamasi. Të mërkurën, zyrtarët e kufirit kanë njoftuar se 25 mijë litra karburant janë lejuar për përdorim nga agjencitë e OKB-së. Mirëpo OKB-ja ka thënë se kjo ishte vetëm përqindje e vogël e asaj çfarë është dashur për mbështetjen e operacioneve humanitare, përderisa Izraeli është duke ndaluar sado karburant të shpërndahet nëpër spitale, pompat e ujit ose objektet sanitare.

Kufiri u hap përsëri më 1 nëntor për personat që largohen nga Gaza. Qindra persona të plagosur dhe persona me pasaporta të shteteve të huaja – përfshirë më shumë se 100 qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar – që atëherë kanë kaluar në Egjipt, megjithëse qindra të tjerë janë ende në Gaza.

Planet e Hamasit

Hamasi është grup palestinez që ka udhëhequr Rripin e Gazës që nga viti 2007. Grupi është betuar në shkatërrimin e Izraelit dhe dëshiron ta zëvendësojë me shtet islamik.

Hamasi ka zhvilluar luftëra të shumta që prej kur erdhi në pushtet, duke lansuar mijëra raketa në drejtim të Izraelit dhe duke kryer të tjera sulme vdekjeprurëse. Si kundërpërgjigje, Izraeli vazhdimisht ka sulmuar Hamasin me bombardime ajrore. Në vitet 2008 dhe 2014 po ashtu ka dërguar trupa ushtarake në Gaza.

Së bashku me Egjiptin, Izraeli ka bllokuar Rripin e Gazës që prej vitit 2007, për çka thotë se ishte për shkaqe të sigurisë. Hamasi – ose në disa raste njësia ushtarake, Brigada Izzedine al-Qassam – ka qenë e shpallur si grup terrorist nga Izraeli, SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, bashkë me superfuqi të tjera. Irani mbështet grupin, duke e mbështetur financiarisht me armë dhe me trajnime.

Pse po zhvillohet lufta në Gaza?

Me 7 tetor, qindra militantë të Hamasit kaluan prej Rripit të Gazës në Izraelin jugor duke shkatërruar rrethojat e fortifikuara. Ishte sulmi më i rëndë ndërkufitar që Izraeli është përballur në më shumë se një gjeneratë.

Militantët vranë rreth 1.200 persona, shumica e tyre civilë, në një seri bastisjesh në qendrat militare, kibucë dhe një festival muzikor. Ndërkaq mori më shumë se 240 pengje në Gaza. Netanyahu ka thënë se Izraeli ishte në luftë tashmë dhe u betua se Hamasi “do të paguajë çmimin”.

Marrë parasysh burimet e rëndësishme të shërbimeve të sigurisë së Izraelit, sulmi i Hamasit ishte befasues pasi që nuk ishte parashikuar, sipas korrespodentit të sigurisë në BBC, Frank Gardner. Sulmi u krye në kohën e tensioneve të larta izraelito-palestineze. Ky vit ka qenë më vdekjeprurësi në histori për palestinezët që jetojnë në Bregun e pushtuar Perëndimor nga Izraeli, gjë e cila mund ta ketë motivuar Hamasin për sulmin ndaj Izraelit. Hamasi po ashtu mund të ketë qenë duke kërkuar të shënojë një fitore propagandistike me qëllim të rrisë popullaritetin te palestinezët./ BBC

/Shqip.com