Lajme Gjykata Speciale

Bastisjet në 12 lokacione, PSD: Kjo është përndjekje e pastër politike

Partia Socialdemokrate

Bastisjet e kryera sot nga Policia e Kosovës në pronat e ish-zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Partia Socialdemokrate (PSD) i ka konsideruar përndjekje politike.

Ish-anëtari i Ndërmarrjes Publike Banesore, Dren Kukaj, i cili është pjesë e PSD-së, gjatë një konferencë për media ka folur lidhur me bastisjet që kanë zhvilluar hetuesit në banesën e tij dhe të prindërve të tij.

Ai ka kritikuar edhe reagimin e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla.

“Kanë hyrë dhe kanë bastisur gjithë banesën kanë kërkuar nuk e di çfarë kanë kërkuar dhe krejt çka kanë gjetur është se i kanë marr dy kompjuter të nënës dhe babës që janë të asaj banese dhe më kanë sekuestruar telefonin tim persona.

I kam ftuar në banesën time dhe në prani të gruas dhe fëmijëve e kanë bastisur gjithë banesën dhe nuk kanë marr asgjë përgjatë sa kohës sa kanë qenë diku bastisur kam kuptuar se ministri i Punëve të Brendshme pa përfunduar aksioni ka folur për rezultatet e një aksione pjesë qartazi ishim edhe ne edhe kur e pash që tash isha i hapur se aty flitej edhe për fajde, flitej edhe për mashtrimin për kartela e rastin ku jemi përfshirë jo tash po tash e dy vite që jemi nën hetim dhe nuk më arrestuan por realisht më morën telefonin që unë kam pas me ia dërgua vetë në Polici”, u shpreh ai.

Prokuroria Speciale gjatë ditës së sotme ka njoftuar se në 12 lokacione Policia e Kosovës ka kryer bastisje nën dyshimin për mashtrim në Ndërmarrjen Publike Banesore, lidhur me një kontratë për ndërtimin e katër objekteve afariste e banesore në vlerë prej mbi 120 milionë eurosh.

Siç ka njoftuar Prokuroria Speciale, janë kryer kontrolle në pronat e të dyshuarve: H.H, V.M, D.K, L.M, XH.L, A.J, G.SH, B.P, A.M, B.B dhe D.B..

Ata dyshohet se në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së; “Lidhja e kontratës së dëmshme” nga neni 285 i KPRK-së; dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së.

/Shqip.com