Lajme

Basha-Kryeziut të DnV-së: Po mërzitesh që s’po fiton Radoiçiqi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka ‘evidentuar’ shqiptarë, të cilët ai thotë se “po mërziten që s’po fiton prapë Radoiçiqi e Veselinoviqi me Listën Serbe” në veri.

Pasi Ismet Kryeziu nga rrjeti i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” tha se rrethanat në të cilat po zhvillohet procesi i sotëm zgjedhor nuk garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta dhe se këto zgjedhje s’kanë legjitimitet juridik e politik, Basha e vendosi atë në anën e Serbisë.

“Shumë e (b)analisti me emra e mbiemra shqiptarë po merziten që s’po fiton prapë Radoiçiçi e Veselinoviqi me Listën Serbe. Plot deklarime se këto zgjedhje nuk janë legjitime dhe nuk i plotësojnë kushtet pa marrë pjesë edhe argatët e Vuçiqit. Krejt shtetet ndërkombëtare janë deklaru që i pranojmë rezultatet, por këta ‘tonët’ nuk i pranojnë dhe nuk janë t’kënaqur, sikurse nuk është Vuçiqi me Radojçiçin!”, shkroi Basha në Facebook.

“Shyqyr po bien këso raste e po iu bien maskat!”, shtoi ai.

Kryeziu ka thënë sot se zgjedhjet e sotme janë më tepër “improvizim i procesit zgjedhor sesa një proces që garanton standardet e zgjedhjeve të drejta dhe të lira ku përfshihen komunitete”.

“Mendoj që nuk i plotëson standardet ky proces për t’u quajtur proces zgjedhor i ndershëm dhe për të garantuar standardet dhe idenë pse po mbahen zgjedhjet”, ka thënë ai.

/Shqip.com