Lajme

Balje mohon kalimin krah opozitës: Në takim me Abdixhikun kemi folur për problemet në vend

Deputetja e Kuvendit të Kosovës - Duda Balje

Deputetja e SDU-së Duda Balje, ka folur për takimin që ka pasur në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun.

Për Shqip.com, Balje ka thënë se kanë biseduar për problematikat e vendit dhe bashkëpunimin me LDK-në duke mohuar kalimin e saj krah opozitës.

“Kemi pasur një takim shumë transparent dhe shumë të hapur dhe kemi folur për problemet politike të cilat janë prezente sot. Normal kemi biseduar edhe për bashkëpunim ku LDK-ja është njëra prej partive më të vjetëra e cila vazhdimisht ka ofruar mbështetje për komunitetin të cilin unë e përfaqësoj. Por nuk është takim që u bisedua që unë të largohem nga pozita dhe të rreshtohem krah opozitës”, tha Balje.

Abdixhiku takohet me Baljen, diskutohet mundësia e thellimit të bashkëpunimit në mes tyre – SHQIP.com

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në zyrën e tij kryetaren e SDU-së, Duda Baljen.

Siç thuhet në njoftimin e LDK-së, Abdixhiku dhe Balje kanë diskutuar për situatën politike në vend si dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes të këtyre dy subjekteve.

“Sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, ka pritur kryetaren e SDU-së, Duda Balje. Kryetari Abdixhiku me znj. Balje diskutoi për situatën politike në vend, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes LDK-së dhe SDU-së”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Tutje, në njoftim thuhet se gjatë këtij takimi Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e komunitetit boshnjak në shtetndërtimin e Kosovës.

Abdixhiku ka shtuar se do të duhet të punohet fuqishëm në përmirësimin e kushteve jetësore për të gjithë qytetarët e Kosovës pa përjashtime.

Kujtojmë se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Armend Muja, kishte kërkuar që Balje të shkarkohet nga komisioni hetimor për energjinë, për arsye të mungesave të saj./Shqip.com