Bajqinovci për Radojçiqin: Me ardhjen e VV-së në pushtet ato deklarata mund t’i japë vetëm nga malet

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka komentuar videon e postuar nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiqi.
Ai ka thënë se tani pas ardhjes së LVV-së në pushtet ai nuk mund t’i japë ato deklarata nga qendrat e qyteteve të Prishtinës e Mitrovicës, siç i kishte bërë gjatë qeverive të kaluara, por me Qeverinë Kurti 2, Radojçiq këto deklarata kërcënues i jep nga malet e jo nga qendrat e qyteteve.
“Sot ai po shkon në kala dhe po banë video-incizimi por le të del ai në Mitrovicën e Veriut në qytet”.
Tutje, ai ka folur se si qeveria Kurti 2, e ka integruar pjesë veriore të Republikës së Kosovës.
“E kemi bërë reciprocitetin për tabelat, dhe për letërnjoftimi, e për rrymë dhe jemi duke shkuar hapë pas hapi që ata qytetarë tani janë integruar” ka deklaruar ai, në emisionin ‘FIVE’ në RTV Dukagjini.
Sipas tij, në veri të Kosovës, në të kaluarën nuk kanë pasur guxim që të shkohet në këmbë, por tani mund të dilet dhe duke ecur.
“Plus kemi hapur stacione të reja policore, kemi njësinë special në çdo kënd”, ka theksuar Bajqinovci.
Ndryshe, Milan Radojçiq, që është në kërkim nga Policia e Kosovës si i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, sot përmes një video të publikuar nga media “Alo”, shihet duke përçuar një porosi për serbët e veriut.
Ai thotë se serbët e Kosovës po përballen me “kërcënime brutale” nga kryeministri, Albin Kurti.
“Terrori i vërtetë ndaj serbëve vetëm sa po fillon. Për njerëzit e mi në veri dhe për të gjithë serbët, më lejoni të themi, mbi të gjitha, jam këtu, jam kthyer, dhe e dini se çka do të thotë kjo sepse nuk ka kthim prapa nga këtu. Rroftë Serbia”, thotë Radojçiq në videon që pretendohet të jetë incizuar në veri të Kosovës.
Radojiçiq është i sanksionuar edhe nga SHBA-të për aktivitetin e tij kriminal në veri të Kosovës.
Ai është njëri nga të dyshuarit e kërkuarit nga drejtësia për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq./SHQIP.com