Bajqinovci: Kritikat e opozitës nuk janë për shtet, por për interesa të ngushta

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, i është drejtuar opozitës duke i thënë se kritikat e saj nuk janë për shtet, por për interesa të ngushta.
Përmes një postimi në Facebook, Bajqinovci ka thënë se opozita e ka vetëm një problem, e ai është kryeministri Albin Kurti.
“Opozita e ka vetëm një problem: Albin Kurtin! Personi që këtyre që ua ka këputur pushtetin e ua ka ndalur zhvatjen. Ai madje ju pengon edhe si ekzistencë. Këtë e kanë dëshmuar edhe sa ishin në pushtet, përveçse tash në opozitë”, ka shkruar ai.
Deputeti i LVV-së ka thënë se kur dalin kundër Albinit, le të dihet që po dalin kundër popullit që e mbështetë masivisht, dhe kundër kërkesës së tyre të zëshme për shtet të drejtë e zhvillimor.
Bajqinovci gjithashtu ka thënë se parakusht i zhvillimit është drejtësia.
“Drejtësi përmes vettingut dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme që vetëm Qeveria e Kurtit mund ta bëjë”, ka shkruar ai.