Lajme

Bajçinca: U thye miti se Burim Berisha është i pamposhtur

Kandidati i LVV-së për kryetar të Fushë Kosovës, Enver Bajçinca

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë Kosovës, Enver Bajçinca, ndonëse i dyti në garë, është shprehur optimist se votat e panumëruara do të jenë në favor të tij, transmeton Shqip.com.

Kjo garë që ka futur nën ethe atë dhe Burim Berishën e Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk arriti të fitojë pushtetin në këtë komunë për vetëm 14 vota në raundin e parë, sipas Bajçincës do të përfundojë me balotazh me ç’rast edhe “po thyhet miti se Berisha është i pamposhtur”.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Fushë Kosovës

“Mendoj se do të jemi në balotazh, duke marrë parasysh votat me kusht dhe ato të diasporës. Vota me kusht janë 183 vota, prej të cilave mendojmë që një shumicë e madhe janë për ne meqë ne kemi udhëzuar komisionerët dhe vëzhguesit tonë që mos ta lënë vendvotimin, por të votojnë me kusht”, ka thënë ai në ‘Sytë 7’ të Klan Kosovës.

“Edhe votat e diasporës tradicionalisht janë vota për Vetëvendosjen dhe sipas informacioneve që kam janë diku 300 vota nga diaspora dhe mendoj që janë 70 përqind prej tyre janë vota për ne”, shtoi ai.

Bajçinca më tej tha se pritjet i kishin më të larta për rezultatin e 17 tetorit, duke marrë parasysh zgjedhjet e 14 shkurtit. Por, ai thotë se zgjedhjet lokale janë më ndryshe për shkak se qytetarët mund të kenë interesa të drejtpërdrejta.

Bajçicna është i bindur se nëse arrin të shkojë në balotazh gjasat do t’i ketë të mëdha për ta fituar udhëheqjen e Fushë Kosovës.

“Po thyhet miti se Burim Berisha është i pamposhtur në Fushë Kosovë. Ka shumë persona që besojnë verbërisht se nuk ka kush që ia merr pushtetin. Për ata mendoj se një pjesë e madhe nuk kanë dalë në votime, sepse pritjet kanë qenë për një pjesëmarrje më të lartë, por duke parë skepticizmin se ‘nuk mund të ndryshoj asgjë vetëm votën time’ s’kanë dalë në votime. Tash besoj se ata do të motivohen, plus është një elektorat i opozitës”, tha ai. /Shqip.com