Lajme

Avokati i Lekajt: Aktakuza e ngritur ndaj klientit tim është e porositur dhe tendencioze

Pal Lekaj

Musa Damati, avokat mbrojtës i ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj ka thënë se rasti i 53 milionëve është rasti më voluminoz financiar.

Sipas Damatit, aktakuza e ngritur ndaj Lekajt nuk ka bazë të provave dhe e njëjta është “ e porositur dhe tendencioze”.

“ Ky është rasti më voluminoz financiar në Kosovë dhe për të cilin është përfolur shumë si në fushatë parazgjedhore, zgjedhore, parlament e poashtu edhe jashtë saj. Por, nuk është arritur që të vërtetohet misteri se si i kushtoi buxhetit të Kosovës në tërësi projekti i autostradës me një kosto prej 700 milionë euro. Dhe si rezultat i kësaj, sot e kemi dëgjuar një aktakuzë e cila është ngritur mbi bazën e standartit zero të provave dhe është aktakuzë e cila është e porositur, tendencioze me të cilën ne do të ballafaqohemi profesionalisht dhe do të arrijmë që në fund të këtij procesi ligjor të vërtetojmë pafajësinë e klientit tim, ish-ministrit Pal Lekaj”, u shpreh Damati para gazetarëve.

Musa Damati

Theksojmë se sot ka nisur gjykimi ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, për rastin e 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konserciumin “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Në fillim të shkurtit, Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë ndaj Lekajt dhe ish-këshilltarit të tij, Eset Berisha.

Në rastin e njohur si “53 milionët”, Lekaj akuzohet se ka fshehur raportin e kompanisë “Hill, e që kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin./Shqip.com