Austria rikonfirmon mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovën

Ministri Federal i Austrisë për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, Michael Linhart, ka rikonfirmuar mbështetjen e tyre për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, përcjell Shqip.com.
Këto deklarata ai i bëri në Bruksel në takim me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila ka falënderuar Linhart për përkrahjen, duke theksuar që “kjo ndihmë të përcillet tek shtetet skeptike të Bashkimit Evropian që po ndikojnë në zvarritjen e procesit të vizave”.

“Temë diskutimi ishte edhe përmbushja e agjendës evropiane e Kosovës, dhe në këtë pikë ministrja Gërvalla mori rikonfirmimin e ministrit Linhart se Austria do ta mbështes Kosovën në të gjitha proceset, e me theks të veçantë për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Sipas njoftimit të MPJD-së, Gërvalla është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Svetlan Stoev, ku kanë biseduar rreth politikës së jashtme.
“Ndërsa në takimin që mbajti me ministrin e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, z. Svetlan Stoev, biseduan për politikën e jashtme, duke u fokusuar në zhvillimet rajonale dhe sfidat që po shoqërojnë vendet e Evropës Juglindore.
Të dy homologët vlerësuan se është esenciale që të forcohet sundimi i ligjit dhe të luftohet korrupsioni në nivel rajonal. Gjithashtu diskutuan për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e të pasurit progres në këtë drejtim”, thuhet tutje në njoftim./SHQIP.com