Lajme Ballkan

Athina pretendon se Shkupi e ka shkelur marrëveshjen për emrin

Flamuri i Greqisë
Flamuri i Greqisë

Greqia ka akuzuar Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut për shkeljen e marrëveshjes historike për emrin e shtetit, duke paralajmëruar se kjo mund të dëmtojë shpresat e Shkupit që një ditë të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Reagimi i Athinës erdhi një ditë pasi kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut nga VMRO DPMNE, Hristijan Mickoski, vazhdimisht përdori emrin e vjetër të shtetit, Maqedoni, duke thënë se për të është i “turpshëm” emri i ri i shtetit.

Marrëveshja e vitit 2018 me Greqinë – që njihet si Marrëveshje e Prespës – shtet që pretendon se Maqedoni quhet një prej rajoneve të tij, u nënshkrua nga Qeveria e qendrës së majtë, të cilën Mickoski e mposhti në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 8 maj.

Marrëveshja i dha fund mosmarrëveshjeve prej dekadash mes dy vendeve. Marrëveshja për emrin i mundësoi Maqedonisë së Veriut që më vonë t’i bashkohej NATO-s.

Duke folur para Parlamentit të dielën para votimit për Qeverinë e re, Mickoski vazhdimisht përdori emrin e vjetër të shtetit. Por, pasi bëri betimin si kryeministër, ai përdori emrin zyrtar të shtetit.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, George Gerapetritis.

“Do të duhet të dorëzohen para jush dhe ta përmend këtë mbiemër të turpshëm sepse ai është, për fat të keq, pjeës e ligjit dhe Kushtetutës që duhet ta respektoj si kryeministër”, tha Mickoski para deputetëve.

Si anëtare e BE-së, Greqia mund të pengojë që shteti fqinj të anëtarësohet në bllok. Pengesa të ngjashme po paraqet edhe fqinja tjetër, Bullgaria, për shkak të mosmarrëveshjeve me Maqedoninë e Veriut sa i përket çështjeve të minoriteteve.

Të hënën, kryediplomati grek George Gerapetritis, tha se anëtarësimi i Shkupit në BE do të jetë “i papranueshëm dhe i paimagjinueshëm” nëse nuk respektohet plotësisht ligji ndërkombëtar, përfshirë edhe marrëveshja për emrin.

Ai tha se udhëheqja e re maqedonase “ka vendosur që në mënyrë sistematike të mos përdorë [emrin Maqedoni e Veriut] në diskursin publik brenda vendit. Kjo është shkelje e qartë [e marrëveshjes me Greqinë], pasi ajo parasheh përdorimin e emrit Maqedoni e Veriut si brenda, ashtu edhe jashtë vendit”, tha ai.

Edhe presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, muajin e kaluar zemëroi zyrtarët grekë dhe të BE-së pasi gjatë betimit si presidente përdori emrin Maqedoni, e jo emrin zyrtar të shtetit.

Më vonë ajo insistoi se ajo ka të “të drejtë njerëzore” që t’i referohet si të dojë shtetit të saj. /REL

/Shqip.com