Kulturë

AShSh, konferencë për hebrenjtë e mbijetuar në Shqipëri

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës (Shoah), Akademia e Shkencave të Shqipërisë mbajti konferencën shkencore ndërkombëtare me temë “Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”.

Konferenca është organizuar në bashkëpunim me Shtëpinë e Izraelit në Shqipëri (Israeli House of Albania), në nderim e reflektim për Ditën e Kujtesës, ditën e homazhit për mbi 6 milionë jetë njerëzore të humbura për shkak të urrejtjes racore të shprehur në formulën naziste “çrrënjosja përfundimtare”.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, në fjalën e tij të hapjes, tha se, “Akademia jonë e Shkencave, ashtu si simotrat e saj në Evropë e në botë, ka për mision themelor kultivimin e zhvillimin e të vërtetave shkencore, përfshirë ato historike. Ajo, ka vënë në pah disa nga vlerat morale e politike kombëtare të shoqërisë dhe të popullit shqiptar, siç janë antifashizmi, karakteri evropian dhe unik i identitetit shqiptar, njësia e gjuhës letrare shqipe, konvergjenca e bashkëjetesa fetare, që përbëjnë kauza koherente dhe konstante tonat”, shkruan atsh.

Në Forumin Ndërkombëtar të Holokaustit që u mbajt në Stokholm në vitin 2000, u rekomandua që në vend të termit “holocaust” të përdorej “Shoah”, sepse holokausti rrezikonte t’i jepte qëllim fisnik ideologjisë së zhdukjes me zjarr, nisur prej burimit.

Akademia e Shkencave është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet e vendit për pasaportat e shenjave të kujtesës kushtuar 3750 hebrenjve që hynë dhe mbijetuan në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore; për nderimin e disa qindra familjeve shqiptare strehuese të tyre në atë periudhë të rrezikshme; në mënyrë të veçantë për një memorial dedikuar 17 hebrenjve dëshmorë të luftës antifashiste që luftuan përkrah shqiptarëve për lirinë e popullit tonë. Të gjitha këto të dhëna, mund dhe duhet, të depozitohen në Muzeun Kombëtar e Kulturës Hebraike që po ndërtohet në Vlorë, në një amzë të posaçme.

/Shqip.com