Lajme

Asamblisti i LDK-së që e gjuajti me ujë drejtorin e VV-së në Podujevë: Veprimin e kam bërë pa paramendim

Asamblisti i LDK-së gjuanë me ujë drejtorin e LVV-së në Podujevë

Si pasojë e një debati të ashpër në Kuvendin Komunal të Podujevës, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Rrahmani, ka tentuar që të lagë me ujë drejtorin e Arsimit të kësaj Komune, Avni Fetahu.

Rrahmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se këtë veprim e ka bërë pa paramendim.

“Veprimin e kam bërë pa paramendim dhe në rrjedhë e sipër të diskutimeve nënqmuese, e fyese që po përdorte Fetahu ndaj grupit tonë, grup në të cilin ishte edhe vet ai deri dje. Për veprimin dhe në respekt të kuvendit dhe kolegëve asamblistë, në vazhdimet e seancës kam kërkuar falje”, ka shkruar ai.

Rrahmani ka thënë se kjo aspak nuk e ndryshon bindjen e tij për drejtorin, i cili në këto momente është dashur të ishte duke u intervistuar nga organet e rendit për shkak keqpërdorimeve masive në punësim dhe skandaleve me tenderë në furnizimin e shkollave.

“Justifikimi për tri pika ujë, po ikim nga seanca, nuk pinë ujë, kjo ishte vetëm pretekst për të ikur nga përgjegjësia”, ka shkruar ai.

Në momentin që drejtori i Arsimit Fetahu ishte duke folur, asamblisti i LDK-së është ngritur nga ulësja e tij dhe është afruar në drejtim të drejtorit dhe ka filluar që të gjuaj atë duke e lagur më ujë.

Lexo edhe:
Eskalon situata midis LVV-LDK-së në Kuvendin Komunal të Podujevës

Pas kësaj situate, Kryesuesi i Seancës është shprehur se ky është një gjest i pahijshëm dhe njëkohësisht ka kërkuar nga asamblisti i LDK-së që ta lirojë sallën.

Lidhur më këtë ka reaguar edhe Shpejt Bulliqi- kryetar i Komunës së Podujevës.

Ai ka thënë se sjelljet e tilla janë të pahijshme dhe të papranueshme.

Lexo edhe:
Bulliqi dënon ashpër sulmin e asamblistit të LDK-së ndaj drejtorit të Arsimit në Komunën e Podujevës.

“Një akt i shëmtuar ka ndodhur sot në Kuvendin Komunal në Podujevë, kur asamblisti i LDK-së Ekrem Rrahmani ka sulmuar me ujë drejtorin e Arsimit, Avni Fetahu, i cili ishte duke prezantuar sukseset e qeverisjes komunale në arsim. Sjelljet e tilla, përveçse të pahijshme janë edhe të papranueshme. Andaj e dënoj ashpër një akt të tillë” ka shkraujtur Bulliqi.

Ai ka uruar që veprime të tilla të mos shihen më në Kuvendin Komunal./Shqip.com