Artikulli propagandues i revistës “Le Petit”, përplas deputeten Deliu me ministrin Çeku

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka kërkuar sqarim nga ministri Çeku për artikullin propagandues për promovimin negativ të Kosovës në Francë.
Kosova në artikullin e revistës “Le Petit”, paraqitet si vend i lindjes së manastireve ortodokse.
Sipas deputetes Deliu-Kodra, shkrimi është i sponsorizuar nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
“Abelard Tahiri javën e kaluar ka thënë se në një revistë në Francë është publikuar një shkrim që në Kosovë kanë lindur manastiret ortodokse serbe. Kemi para vetes një kontratë të konfirmuar se ka pasur bashkëpunim që Qeveria e Kosovës ka promovuar Kosovën si vend që kanë lindur manastiret ortodokse serbe. Ky publikim është sponsorizuar nga taksat e Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së tha se ky është një skandal dhe se kërkohet reagim i menjëhershëm nga institucionet e shtetit për largimin e artikullit nga webfaqja e revistës.
Lidhur me këtë, ka reaguar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që ka njoftuar se është bërë kërkesë për largimin e shkrimit nga faqja zyrtare e revistës.
Tutje Çeku në replikë ndaj deputetes Deliu-Kodra, tha se janë angazhuar edhe avokat që të ngrisin padi për shkelje të marrëveshjes nga ana e revistës franceze.
“Kërkesa zyrtare për tërheqjen zyrtare të këtij artikulli është dërguar. Dhe kërkesa do të jetë e vazhdueshme deri në heqjen e këtij artikulli. Janë angazhuar avokatët për të ngritur padi për shkelje të marrëveshjes. Marrëveshja me revistën është lidhur në vitin 2016. Artikulli në fjalë asnjëherë nuk është autorizuar nga Ministria e Industrisë”, ka thënë Çeku.
Për fund, deputetja e PDK-së, Blera Deliu-Kodra, është shprehur se janë propaganduar 50 milionë qyetarë të Francës, duke e promovuar Kosovën si vend i manastireve.
Ministrit Çeku i është kërkuar që të konfirmoj se kanë filluar padinë, ndryshe ndaj ministers së Tregtisë dhe Industrisë, do të inicohet mocion për shkarkim, është shprehur deputetja Deliu-Kodra./SHQIP.com
/Shqip.com