Lajme

Arrijnë edhe dy gazetarë ukrainas në Kosovë, Kurti: Kosova qëndron me Ukrainën

Gazetarët nga Ukraina

Kanë mbërritur në Kosovë, Liudmyla Mekh dhe Serhii Shevchenko dy gazetarë ukrainas si pjesë e programit “Journalists in Residence – Kosovo”.

Ata janë vendosur në Prishtinë, dhe do të kenë mundësinë që të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë nga Kosova.

Gazetarët veteranë kanë punuar në media të ndryshme në Ukrainë, dhe janë pjesë aktive e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës (NUJU). Zonja Mekh është themeluese dhe presidente e Fondacionit “Iniciativa e Gazetarëve”, me bazë në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Për ardhjen e tyre në Kosovë, ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti.

Ai tha se Kosova është bërë “shtëpia” e dy gazetarëve.

“Mirë se vini Liudmyla dhe Serhii. Kombet përcaktohen në kohë grindjesh dhe vështirësish, po kështu edhe njerëzimi. Ne qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën.”, është shprehur Kurti.

Liudmyla Mekh dhe Serhii Shevchenko

Gazetarët janë pritur në aeroport nga zyrtarja ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues të MPB-së.

Programi ‘Gazetarët në Rezidencë në Kosovë’ është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë.  

Ky program ofron pagë mujore, akomodim, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.

Më 17 prill në vend erdhi gazetarja e parë ukrainase Lyudmila Makey./Shqip.com