Lajme

Arrestohet për ryshfet një shtetas serb në Vushtrri

Ilustrim

Një shtetas serb është arrestuar të premten në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, për shkak se i njëjti pasi ishte gjobitur nga Policia e Kosovës për shkelje të rregullave në trafik, u kishte ofruar ryshfet zyrtarëve të saj. 

Siç njofton Policia, shtetasi serb ua kishte ofruar 1 mijë dollar zyrtarëve policorë, transmeton Shqip.com.

“Sot, më 30.07.2021, njësia policore, gjatë zbatimit të Planit Operativ ‘Siguria në trafik’, respektivisht gjatë kontrollit të shpejtësisë të automjeteve në një pikë kontrolli, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë (në Vushtrri), kanë ndaluar një automjet, drejtuesi i të cilit kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar.

Zyrtarët policorë, pas ndaljes së veturës, drejtuesit të saj ia bëjnë me dije arsyen e ndaljes. Gjatë kohës që zyrtarët policorë po shqiptonin gjobën për tejkalim shpejtësie, i dyshuari B.Gj., viti i lindjes 1978, mashkull serb, ka kërkuar nga zyrtarët policorë të mos i shqiptojnë tiketë dhe ua ka ofruar 1000 (një mijë) dinarë (monedhë e Serbisë)”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje, bëhet e ditur se zyrtarët policorë kanë ftuar në vend-ngjarje Njësinë e hetimeve të PK-së, të cilët kanë iniciuar rastin ‘dhënie ryshfeti’, kanë konfiskuar kartëmonedhën.

I dyshuari është arrestuar dhe dërguar stacion policor. Pas intervistimit të të dyshuarit, me vendim të prokurorit kujdestar, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve./SHQIP.com