Arrestohet edhe një i dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar edhe një të dyshuar për vrasjen e trefishtë që ndodhi më 26 nëntor në fshatin Gllogjan të Deçanit.
Sipas njoftimit, i njëjti është dërguar në mbajtje.
“VRASJE E RËNDË Fsh. Gllogjan, Deçan (NN) 26.11.2021 – 18:58. Lidhur me rastin, me 04.02.2022 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh.
Mbrëmjen e 26 nëntorit, një autobus që po transportonte nxënës nga Gjakova për Deçan, u sulmua me kallashnikov. Të vrarë mbetën shoferi dhe dy nxënës.
Kjo vrasje e trefishtë është njëra nga më të rëndat të ndodhura në Kosovë.
Për motivet e rastit nuk dihet akoma.
Të dyshuarit për sulmin nuk u zbuluan për disa ditë. Tek më 11 dhjetor, Prokuroria Themelore e Pejës njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar, babai me dy djemtë.
Njëri nga ta ndodhet në arrest shtëpiak, ndërsa dy të tjerë në paraburgim./SHQIP.com