Lajme

Arrestohen 13 persona, merreshin me organizimin e bixhozit

13 persona janë arrestuar në qytetin e Ferizaj pasi që të njëjtit dyshohet se merreshin me organizimin e bixhozit.

Arrestimi i tyre ka ndodhur rreth orës 02:00 pas mesnate pas një informate të pranuar nga Policia Rajonale e Ferizajt.

“Me datën 28.11.2022 në ora 02:00 të mëngjesit, Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në një lokal në fshatin Greme të Ferizajt dyshohej se disa persona ishin duke zhvilluar aktivitete joligjore, duke luajtur bixhoz. Njësitet reaguese të  stacionit policor në Ferizaj, menjëherë janë nisur në drejtim të këtij lokacioni, ku kanë hasur në trembëdhjetë (13) persona duke luajtur bixhoz”, thuhet në njoftim.

Po ashtu është bërë e ditur se, policia i ka marrë veprimet e nevojshme hetimore.

“Me këtë rast, policia i ka marrë veprimet e nevojshme hetimore, duke bërë fotografimin dhe si dëshmi materiale kanë gjetur: një pako me 2061 çipa që konvertohen në shuma të caktuara të parave dhe 20 palë letra që janë përdorur për të luajtur bixhoz, të cilat më pas janë konfiskuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Më tutje thuhet se me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj pronari i lokalit S.M ( M/K) i moshës 35 vjeçar është ndaluar në  mbajtje për 48 orë, për veprën ‘’Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’’, ndërsa personat tjerë  janë liruar për procedurë të rregullt të mëtejme hetimore.

/Shqip.com