Arrestime e konfiskim armësh nëpër ahengjet e Kosovës

Policia e Kosovës ka arrestuar 14 persona gjatë vikendin që lamë pas, të dyshuar për përdorim të armëve në ahengje familjare në disa qytete të vendit.
Rasti më i rëndë u raportua në Ferizaj, ku u arrestuan gjashtë persona për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
“Policia e stacionit në Ferizaj me datën 27.07.2024 rreth orës 17:00 ka pranuar një informacion se në fshatin Koshare të Ferizajt, në një aheng familjarë kishte të shtëna me armë të zjarrit.
Policët e rendit dhe hetuesit policorë menjëherë janë nisur në atë drejtim dhe kanë arritur të identifikojnë disa persona, tek të cilët janë gjetur armë të zjarrit, me të cilat dyshohet se kishin shtënë gjatë ahengut.
Policia i ka shoqëruar shtatë persona në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjashtë persona janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore, ndërsa si provë materiale janë sekuestruar katër armë të zjarrit, një pushkë gjysmëautomatike, tri pistoleta dhe sasi e municionit”, thuhet në njoftim.
/Shqip.com