Lajme

Apeli konfirmon aktakuzën ndaj Milaim Zekës

Gjykata e Apelit ka marrë aktvendim, me të cilin ka konfirmuar aktakuzën e ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka, i akuzuar se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, raporton ”Betimi për Drejtësinë”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Zekën se pa autorizim e ka incizuar fshehurazi të dëmtuarën B.D në restorantin “Fshati” në Prishtinë, derisa kjo e fundit kishte kërkuar nga ai që mos ta përmend djalin e saj në shkrimet e tij apo kudo tjetër.

Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 6 dhjetorit 2021, kishte refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës, të paraqitura nga ana e mbrojtjes, si të pambështetura në dispozita ligjore dhe se nuk ishin argumentuar asnjëri nga kushtet e parapara në dispozitat e nenit 249 dhe 250 të KPPRK-së.

Kundër këtij aktvendimi, ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Zeka, avokati Latifaj.

Prokurori i Apelit përmes një parashtesë ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Zeka të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Tutje, në këtë vendim thuhet se sipas vlerësimit të Apelit në rastin konkret ajo çka është relevante në këtë fazë të procedurës penale është fakti se aktakuza si e tillë është përpiluar në pajtim me nenin 241, paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, e njëjta nuk përmban të meta të atilla që e pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale dhe se përmban të gjitha elementet e nevojshme që të procedohet tutje në fazat tjera të procedurës penale.

Po ashtu, sipas Apelit nuk qëndron as pretendimi ankimor se deklarata e të dëmtuarës dhe dëshmitareve tjerë në këtë çështje konsiston në atë se të njëjtat nuk janë marrë në përputhje me nenin 61, paragrafi 3 dhe nenin 132, paragrafi 6 të KPPRK-së.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 14 tetor 2021, i akuzuari Zeka ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale, e cila i vihet në barrë./Shqip.com