Lajme

Apeli ia ul dënimin të akuzuarit për vrasjen e 13 civilëve në Kosovë

Gjykata e Apelit
Gjykata e Apelit

Goran Stanishiq është i dënuar për vrasjen e 13 civilëve gjatë luftës në Kosovë por bazuar në ankesën e mbrojtjes së tij, Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin nga 20 vite në 15 vjet burgim.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, me 20 vite burgim Stanishiq ishte dënuar qysh me 5 tetor të vitit 2021 nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Kurse, Gjykata e Apelit e ktheu në shqyrtim ankesën e mbrojtjes së Stanishiqit ku ishte kërkuar që ai të lirohet nga akuzat ose lënda të kthehej në rigjykim.

“APROVOHET pjesërisht si e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit G.S., av. Lubomir Pantoviq, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.11/2020, datë 05.10.2021, ndryshohet përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarin G.S. për veprën penale për të cilën është shpall fajtor e gjykon me dënim me burgimi në kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjete) vite, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 20.07.2019 e tutje”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri në bashkëveprim me të  tjerët, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G., kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia dhe pasi që ata kishin dalë, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë.

Në aktakuzë thuhet se më pas, në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dalë nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B. Pasi kishin dalë nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përballë një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend.

Kurse, në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit, në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kishin ndaluar të dëmtuarën A.I së bashku me tani të ndjerën Z.G, të cilat kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkëngjitur bashkëfshatarëve dhe familjeve të tyre.

Siç thuhet në aktakuzë, e dëmtuara A.I kishte nxjerrë një pako të cigareve me kërkesë të të pandehurit, dhe duke ua dhënë ai cigaret personave të tjerë, ajo kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte filluar që të vraponte për të ikur, ndërsa i pandehuri me persona të tjerë të armatosur kishin shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, ku e kishin goditur në pjesën e kofshës së djathtë, për çka ajo ishte rrëzuar, dhe ishte rrokullisur deri tek përroi, ku në mbrëmje e kishin gjetur fshatarët, dhe pasi që ajo ua kishte treguar vendin se ku ishte ndarë me të ndjerën Z.G, fshatarët kishin shkuar aty dhe të njëjtën e kishin gjetur të vrarë.

Për këtë, sipas prokurorisë, Stanishiq në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullsisë civile”.

/Shqip.com