Lajme

Anulohet ardhja e afganëve në Kosovë, përkohësisht

Refugjatët afganë

Ardhja e emigrantëve nga Afganistani në Kosovë është anuluar përkohësisht, kanë bërë të ditur burimet e Shqip.com brenda Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ndonëse Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë detaj, në media është raportuar se grupi i parë i refugjatëve afganë do të arrijë të shtunën mbrëma në ANP. Megjithatë, një gjë e tillë s’ka ndodhur.

Shqip.com ka provuar të kontaktojë me zëdhënës të qeverisë për të kuptuar arsyen, por asnjë nga ta s’ka qenë i qasshëm.

Ndërkaq pasditen e së shtunës, “Zëri i Amerikës” ka raportuar se grupi i parë i afganëve që do të strehohen në Kosovë pritet të mbërrijë të dielën. Sipas këtij raportimi, bëhet fjalë për rreth 100 persona.

Sipas deklarimeve të mëhershme, në total Kosova pret rreth 2.000 shtetas afganë e ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pati thënë që qëndrimi i tyre nuk do të jetë i gjatë dhe se do t’u ofrohet mbrojtje në kohëzgjatje prej një viti.

Krahas Kosovës, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy shtete të tjera në Ballkanin Perëndimor që kanë treguar gatishmëri për të strehuar qytetarë afganë./SHQIP.com