Sport Ndërkombëtar

“Ankthi” i mbrojtësve në Bundesliga

Erling Haaland

50-të gola në 50-të ndeshje në Bundesliga. Nuk është shifër e videolojërave, por janë statistikat e Erling Haaland në elitën e futbollit gjerman.

Norvegjezi është rikthyer në fushën e gjelbër, duke e lënë lëndimin prapa krahëve, ndërsa skuadra i rrëmbeu pikët e plota.

Borussia Dortmund ka shënuar fitore me rezultat 1-3, në udhëtim të Wolfsburgu dhe e kanë rrëmbyer përkohësisht vendin e parë në Bundesliga.

Përkundër humbjes, ishte skuadra vendase që realizoi e para, me anë të Weghorst, në minutën e 35-të.

Ndërsa, golin e barazimit e realizoi Emre Can, nga penaltia.

Me rezultatin 1-1 përfundoi pjesa e parë, ndërsa në të dytën mysafirët shënuan edhe dy herë.

Kur po zhvillohej minuta e 55-të, Malen e tundi rrjtën e kundërsharëve, për të kaluar Dortmundin në epërsi, kurse asistues ishte Marco Reus.

Ndërsa, “qershia mbi tortë” ishte goli i realizuar nga Haaland, nëntë minuta para përfundimit të takimit.

Goli i shënuar nga Haaland

Për shtatëgjatin, ky ishte goli i dhjetë i realizuar këtë sezonë në Bundesliga, në shtatë ndeshje të zhvilluara.

21 vjeçari ka regjistruar edhe tre asistime, duke e dëshmuar që është një nga sulmuesit më premtues në botën e futbollit.

Fakti që ai është rikuperuar plotësisht nga lëndimi është një lajm tejet pozitiv për Dortmundin, ekip i cili ka dhjetë fitore dhe tre barazime.

Tashmë, ata kanë 30 pikë, dy më shumë se Bayerni që është një pozitë më poshtë, por me një lojë më pak të zhvilluar./Shqip.com