Andre Onana – pasardhës i Handanovic te Interi

Interi – duket që e ka gjetur pasardhësin e Samir Handanovic.
Zikaltërit janë afër transferimit të “gardianit” të Ajaxit , Andre Onana.
Këtë lajm e ka konfirmuar Fabrizio Romano, sipas të cilit kjo veçse është një marrëveshje e përfunduar.
“André Onana do të nënshkruajë kontratën e tij si lojtar i ri i Interit në javët e ardhshme [janar] – jo në dhjetor. Ai po i bashkohet Interit në qershor 2022 si agjent i lirë – nuk ka qenë kurrë në dyshim.
Barcelona nuk është një opsion për Onanën – ai do t’i bashkohet Interit për sezonin 2022/23.”, ka shkruar ai.
Andre Onana ishte i pezulluar nga bota e futbollit për nëntë muaj, për shkak se kishte rezultuar pozitiv në testet e dopingut.
Andre ka qenë i lirë për të luajtur qysh nga muaji nëntor, pasi UEFA e kishte “zbutur” vendimin për pezullimin e tij në vetëm nëntë muaj, nga një vit – sa ishte fillimisht.
Ai u rikthye në fushën e gjelbër – në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Besiktasit, që për të ka qenë ndjenjë e jashtëzakonshme.
Numri 1 – i Interit, Handanovic është 37 vjeçar, ndërsa Onana ka vetëm 25 vite mbi supe. /Shqip.com