Lajme

Amnistia shtyn Rithemelimin drejt një pakti të ri me PS, Bardhi: Mbështesim draftin! Nesër në Kuvend…

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike mbështet amnistinë penale dhe me gjasë do të miratohet në seancën e së enjtes të Parlamentit.

Me anë të një reagimi, grupi i PD thekson se kanë kërkuar që të përjashtohen nga aministia të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe gjykata nga strukturat e posaçme antikorrupsion. Miratimi i aministisë kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash.

Grupi Parlamentar i PD mbështet amnistinë, dhe propozon:

  1. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar që të përjashtohen nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale të gjithë personat e gjykuar apo hetuar për vepra penale të kryera gjatë grumbullimeve dhe manifestimeve të kryera deri në datën 31 Mars 2024, pavarësisht datës së regjistrimit të tyre.
  2. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar përjashtimin nga amnistimi, qoftë sa i përket vuajtjes së dënimit, uljes së dënimit apo ndjekjes penale, të gjithë funksionarët e lartë të hetuar dhe/ose gjykuar nga strukturat e posaçme antikorrupsion apo që janë subjekt i deklarimit të pasurisë, si deputetë apo kryebashkiakë.
  3. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka propozuar një rritje të masës së përfitimeve nga amnistia, qoftë në drejtim të uljes së dënimit me 2 vite për gratë dhe 1.5 vite për burrat, qoftë në drejtim të datës së dënimit, fillimit të hetimeve apo kryerjes së veprës penale deri në 31 Mars 2024, nga 31 Janari 2024 qê parashikonte versioni aktual i projektligjit.

Ministri i drejtësisë, Ulsi Manja përshëndeti vendimin e opozitës për të miratuar më në fund Amnistinë Penale, e cila u vonua si asnjëherë tjetër nga axhenda politike të turbullta.

Ai shton se me kënaqësi të veçantë konstatova se opozita mbështeti variantin e amnistisë së propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, ku as nuk bëhej fjalë për amnistimin e subjekteve të SPAK-ut e të Gjykatës Speciale.

“Përshëndes vendimin e opozitës për të miratuar më në fund Amnistinë Penale, e cila u vonua si asnjëherë tjetër nga axhenda politike të turbullta që e morën peng këtë akt kushtetues mëshire të shtetit, duke dëmtuar afro 700 përfituesit e kësaj amnistie. Me kënaqësi të veçantë konstatova se opozita mbështeti variantin e amnistisë së propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria Shqiptare, ku as nuk bëhej fjalë për amnistimin e subjekteve të SPAK-ut e të Gjykatës Speciale. Së fundmi nuk e fsheh dot kënaqësinë që siç e pata deklaruar publikisht për mediat përpara Kuvendit – kur turbullia e një pjese të parlamentit e bënte amnistinë të dukej e pashpresë – Amnistia Penale do të marrë të gjitha votat e deputetëve! Nuk thotë kot populli, i duruari i fituari dhe le të shërbejë ky zhvillim pozitiv edhe për ata që s’kanë pse ikin më nga tavolina e punës, për të marrë rrugë të shkurtra që s’çojnë askund dhe si përfundim për t’i dalë gjatë rikthimit në tavolinë”, shprehet Manja.

/Shqip.com