U suspendua pasi kritikoi Qeverinë – Amir Hoxha jep dorëheqje nga detyra e policit

Ish-zyrtari policor, Amir Hoxha, i cili u suspendua nga detyra prej Policisë së Kosovës, ka bëtë ditur se ka dhënë dorëheqje nga pozita e policit.
Hoxha, lajmin e ka bërë të ditur përmes një statusi në “Facebook”.
“Zyrtarisht nuk jam më polic!!!”, ka shkruar Hoxha në postim.
Hoxha u suspendua pasi i njëjti kritikoi në mënyrë publike shpenzimet e deputetëve, duke shprehur pakënaqësitë e tij për mospagesën e shujtave për policët.
Hoxha kishte kërkuar pagesat e shujtave për policët dhe shtesat për punë jashtë orarit.
“Paratë e shujtave për Policinë, si dhe shtesat për punë jashtë orarit nuk jemi duke i marr përkundër se na takojnë me Ligj, me arsyetim të mungesës së buxhetit, por besa s’paskan pas faj se rezervarët e karburantit te deputeteve që në emër të modestisë dhe gënjeshtrave publike gjatë fushatave politike fituan ulëse dhe privilegje, qenkan me primare. Një polic mund të lihet pa bukë në kryerje të detyrës ama deputeti pa karburante kurrsesi jo. Turp ju qoftë, prapë dora jonë do ju ndëshkojë o të shkretë”, kishte shkruar Hoxha në “Facebook”.

Rreth kësaj çështje kishte reaguar Policia e Kosovës dhe e kishte suspenduar Hoxhajn.
Policia e Kosovës kanë thënë se zyrtari policor është suspenduar nën dyshimet për shkelje të brendshme disiplinore.
“Vendimi mbi suspendimin në kohëzgjatje deri në tri (3) ditë, është marrë për zyrtarin policor (punonjës në Stacionin Policor Qendra Prishtinë), nën dyshimet për shkelje disiplinore të sanksionuar sipas udhëzimit të sipërshënuar. Sa sipër, policia është strukturë apolitike në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim në orientimet e tyre andaj të gjithë zyrtarët e saj duhet të përmbahen nga komente qofshin ato politike apo të llojeve të tilla të sanksionuara me udhëzimet administrative”, thuhej në njoftimin e Policisë.
Po ashtu, edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës kishin reaguar duke thënë se sipas një urdhërese, policët s’kanë të drejtë të postojnë komente politike
“Ne i kemi disa gjëra të kufizuara në polici që nuk guxojmë të bëjmë publikime politike, nuk kemi të drejtë. Është një urdhëresë prej disa vitesh nga menaxhmenti që thotë se nuk kemi të drejtë të bëjmë komente politike”, thuhej në reagim.
Ndërsa, ish-polici Amir Hoxha pati thënë se suspendimi erdhi me pretekstin se ai kishte kryer veprën penale apo shkelje të rëndë disiplinore./Shqip.com