Ambienti i “blinduar”, Donald Trump drejt Shtëpisë së Bardhë për t’u takuar me Joe Biden
Presidenti Joe Biden do të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e zgjedhur Donald Trump. Takimi ka për qëllim të demonstrojë një tranzicion të qetë mes administratave dhe ndodh ndërsa ekipi i zotit Trump nuk ka nënshkruar ende dokumentet për të filluar procesin e kalimit të pushtetit.
Zoti Biden, do të mirëpresë presidentin e ardhshëm të vendit në Zyrën Ovale, një mikpritje tradicionale që kryejnë presidentët në largim, të cilën zoti Trump e anashkaloi në vitin 2020, kur ai humbi garën për t’u rizgjedhur.
“Ai beson tek normat dhe institucionet tona, ai beson tek transferimi paqësor i pushtetit“, u tha gazetarëve të martën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, në lidhje me vendimin e Presidentit Biden për të ftuar për takim zotin Trump.
“Kjo është ajo që supozohet të ndodhë“, shtoi ajo.
Presidenti Biden dhe Presidenti i zgjedhur Trump kanë kritikuar ashpër njëri-tjetrin për vite me rradhë. Ekipet e tyre kanë qëndrime shumë të ndryshme mbi politikat, nga çështjet që lidhen me ndryshimin e klimës, tek ato që lidhen me Rusinë deri tek tregtia.
Zoti Biden, 81 vjeç, e ka portretizuar zotin Trump si kërcënim për demokracinë, ndërsa zoti Trump, 78 vjeç, e ka portretizuar zotin Biden si të paaftë.
Presidenti i zgjedhur Trump ka bërë pohime të pa bazuara në fakte për manipulim të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Para takimit në Shtëpinë e Bardhë planifikuar të ndodhë rreth orës 11 me orën lokale të Uashingtonit, zoti Trump do të takohet edhe me ligjvënësit republikanë si dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson.
Zoti Biden synon ta përdorë takimin për të treguar vazhdimësi, por tranzicioni nga një administratë tek tjetra është pjesërisht i bllokuar.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, ekipi i zotit Trump, nuk ka nënshkruar ende marrëveshjen që do t’i mundësonte njerëzve të administratës së tij të ardhshme, qasje tek objektet dhe informacionet qeveritare.
“Avokatët e ekipit të tranzicionit Trump-Vance po vazhdojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive me avokatët e administratës Biden-Harris në lidhje me të gjitha marrëveshjet e parashikuara nga Akti i Tranzicionit Presidencial”, tha Brian Vance, një zëdhënës për tranzicionin i zotit Trump, duke iu referuar ligjit që rregullon transferimin e pushtetit.
Valerie Smith Boyd, drejtoreshë e Qendrës së Partneritetit për Tranzicionin Presidencial, një organizatë jofitimprurëse që këshillon administratat e ardhshme, tha se marrëveshja nënvizon se Shtetet e Bashkuara kanë vetëm një president deri më 20 janar, si dhe përfshin nënshkrimin e rregullave etike për të mos përfituar nga informacioni i vënë në dispozicion gjatë periudhës së tranzicionit.
“Kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet që të fillojë ndërveprimi me agjencitë federale“, tha ajo. “Gjithçka varet nga kjo gjë”.
Gjasat janë që zoti Biden dhe zoti Trump do të diskutojnë mbi një mori temash, përfshirë politikën e jashtme.
Presidenti në largim mund t’i kërkojë zoti Trump të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Mbështetja amerikane për Kievin është vënë në pikëpyetje pas fitores së zotit Trump.
Ndërkohë presidenti i zgjedhur është zotuar t’i japë fund luftës së shpejti, por pa dhënë shpjegime se si do ta bëjë një gjë e tillë.
Zonja Jean-Pierre nuk pranoi të japë detaje rreth çështjeve që do të diskutohen në takimin mes dy udhëheqësve.
Ky do të jetë i pari takim mes zotit Biden dhe zotit Trump që nga debati mes tyre në muajin qershor, kur presidenti demokrat nuk ishte tërhequr ende nga gara.
Paraqitja e dobët e zotit Biden rriti shqetësimet në mesin e demokratëve mbi moshën e tij madhe dhe çoi në largimin e tij nga gara presidenciale.
Pas këtij zhvillimi zonja Harris u zgjodh si kandidate e demokratëve për presidente. Ajo udhëhoqi një fushatë të shkurtër që përfundoi me humbjen e saj më 5 nëntor.
/Shqip.com