Ambasadorja kroate: Kroacia mbështet anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO

Ambasadorja kroate në Kosovë, Danijela Barishiq, ka deklaruar se vendi i saj do ta mbështes Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Evropian dhe NATO.
Barishiq këto deklarata i ka bërë pas takimit që pati me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme.
“Kroacia vazhdimisht ka mbështetur rrugën euroatlantike të Kosovës, dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian, gjithashtu edhe në NATO”, tha Barishiq.
Ajo gjithashtu ka thënë se gjatë takimit me anëtarët e këtij komisioni diskutuan për shumë tema.
“I falënderoj anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme për ftesën, isha e nderuar që të diskutonim shumë tema. Folëm për relacionet tona që i janë shumë miqësore, e gjithashtu diskutuam edhe për bashkëpunimin regjional”, u shpreh ajo.
Barishiq shtoi se sa i përket agresionit rus në Ukrainë, i janë shumë mirënjohës Kosovës që vendosi të rreshtohet në anën e drejtë, ashtu siç kemi bërë edhe ne, BE-ja dhe SHBA-të.
“Kosova është e rrethuar nga anëtarë të BE-së dhe NATO-s, ju jeni vend evropian që ndanë vlerat e BE-së, dhe këtë e treguat edhe me sanksionet ndaj Rusisë”, tha Barishiq.
Kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, ka thënë se synojnë thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja shteteve si dhe për bashkëpunimin ekonomik.
Gjatë Komisionit, temë diskutimi ishte marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dyja vendeve, ndikimi i situatës në Ukrainë, zhvillimet në rajon si dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar./Shqip.com