Lajme Ballkan

Ambasadori rus viziton ushtarët serbë në kufi me Jarinje

Ambasadori rus në Serbi, Bocan Kharchenko viziton ushtarët serbë në kufi me Kosovën

Ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, ka zhvilluar një vizitë jo shumë larg nga vendkalimi kufitar midis Kosovës dhe Serbisë, Jarinje, transmeton Shqip.com.

Kharchenko ka shprehur mbështetjen e Rusisë për pozicionin e Beogradit lidhur me reciprocitetin e targave ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia në Kosovë, teksa thotë se kjo situatë po shihet si shqetësuese në Moskë, shkruan portali serb ‘Kosovo Online’.

“Në Moskë, kjo situatë është shqetësuese,” tha ambasadori rus.

Ambasadori rus në Beograd shkon në kufirin me Kosovën

Botsan Kharchenko shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare “formuloi rrugën përmes hapave që do të zgjidhnin situatën dhe që do të zhvillonin normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilat Rusia gjithashtu i mbështet”.

Ai më tej theksoi se përgjegjësia për situatën bie mbi institucionet e Kosovës dhe se sipas tij, “grumbullimi i forcave në vendkalime është një shkelje dhe mospërmbushje e marrëveshjeve të nënshkruara më herët”.

Kharchenko gjithashtu theksoi se “ekziston një qëndrim i çuditshëm por i dëmshëm i partnerëve perëndimorë dhe Shteteve të Bashkuara që mbyllin sytë ndaj situatës, dhe arsyeja për këtë janë standardet e vjetra të dyfishta dhe tani ne shohim, siç tha ai, standarde të shumta me Prishtinën dhe Beogradi po bën thirrje për përmbajtje dhe de-përshkallëzim”.

“Në të njëjtën kohë, ‘asnjë provokim nuk po bëhet nga pala serbe’ dhe sjellja e Beogradit është e përmbajtur”, u shpreh më tej zyrtari rus.

Tash e shtatë ditë Njësitë Speciale të Kosovës janë vendosur në veri të vendit për të siguruar se po zbatohet vendimi i Qeverisë për reciprocitetin e targave të automjeteve që vijnë nga Serbia në Kosovë. /Shqip.com