Ambasadori Rohde reagon pasi Qeveria gjermane përkrahë liberalizimin e vizave për Kosovën

Koalicioni qeverisës i partisë Socialdemokrate, Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë, në marrëveshjen e tyre të koalicionit, kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar përmes një shkrimi në Twitter ku ka cituar një pjesë të marrëveshjes së koalicionit të këtyre partive ku ndër tjerash përmendet edhe mbështetja për dialogun Kosovë-Serbi.
“Koalicioni i ardhshëm qeverisës në Gjermani nënvizoi përkushtimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi dhe vuri theksin për të mbështetur integrimin e Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike”, ka shkruar Rohde në Twitter.
Next 🇩🇪German Government coalition finalized its coalition agreement underlining commitment to visa liberalization for Kosovo, support for the Kosovo-Serbia dialogue and continued emphasis to support the Western Balkans integration into Euro-Atlantic structures#Koalitionsvertrag
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) November 25, 2021
Në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së ardhshme të Gjermanisë, përmendet edhe përkrahja ndaj gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Ne mbështesim procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës”, thuhet në marrëveshjen e koalicionit.
“Si hap pasues duhet të hapen kapitujt e parë të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duhet vendosur liberalizimi i vizave me Kosovën dhe të vazhdohen negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë”.
“Ne mbështesim dialogun e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE”, thuhet më tej në marrëveshjen e koalicionit të tri partive./Shqip.com