Ambasadori i Kosovës në Maqedoni: Shqipja nuk është gjuhë zyrtare
Ambasadori i Kosovës në Maqedoni Florian Qehaja në një intervistë mbrëmë për Alsat ka thënë se para-fushata për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në vend duket dinamike dhe intenzive.
Ai shpreson se nuk do të ketë implikime në këto zgjedhje.
I pyetur për mundësinë që një shqiptar të bëhet president, Qehaja tha se është dëshmuar se marrja e pozitave të larta shtetërore nuk ka pasur implikime pozitive në terren, duke shtuar se është më e rëndësishme avancimi i të drejtave të shqiptarëve.
“Mendoj se në këtë aspekt këtu sistemi zgjedhor është i atillë që është vështirë të jepet konstatim a mund të ketë apo a duhet të ketë. Mendoj se së voni ka pasur lëvizje pozitive sa i përket marrjes së pozitiva të rëndësishme nga ana e komunitetit shqiptar. Por kjo nuk do të thotë domosdoshmërish se ka pasur implikime shumë pozitive në teren. Këtu po e përmendi çështjen e gjuhës shqipe që mendojmë se nuk është gjuhë e dytë zyrtare në kuptimin e operacional, krahasuar me gjuhën serbe që e kemi ne në Kosovë si gjuhë e dytë zyrtare, gjuha shqipe këtu nuk duket se ka arritur atë nivel, për arsye të ndryshme dhe mendojmë se më shumë janë me rëndësi aspektet e avancimit të të drejtave të shqiptarëve që mendojmë se krahasismisht janë më të mira se më herët, por nuk duhet asnjëri të ndjehet komod se është arritur një nivel i atillë që thjesht nuk ka se çka të arrihet më shumë. Edhe në kuptimin e pozitave ka hapësirë që të vazhdohet tutje që shqiptarët të kenë pjesën e tyre të rëndësishme në raport me fuqinë e votave dhe përqindjen që kanë kandidatët. Ka shumë punë për të bërë në fuqizimin e të drejtave dhe sidomos në aspektet e ndryshme të zhvillimit të këtij vendi nuk po them se Kosova është dukshëm më mirë”, tha Florian Qehaja, Ambasador i Kosovës në Maqedoni.
Megjithatë në bazë ligjore qëndron më mirë.
“Në bazë ligjore në kuptimin praktik sa i përket integrimit të serbëve në këtë rast nëse mund ta bëjmë një analogji, atëherë qëndron dukshëm më mirë, por edhe në kuptimin e një kulture demokratike mendojmë që ka shumë aspekte që mund të merren si referencë në Kosovë qoftë edhe nga Shkupi”, shtoi ai./Alsat
/Shqip.com