Ambasadori gjerman në Kosovë mbështet thirrjen e SHBA-së për vendosjen e qetësisë në veri

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se pajtohet plotësisht me thirrjen e të ngarkuarit me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, se duhet ndërmarrë hapa të menjëhershëm për vendosjen e qetësisë në veri.
Përmes një postimi në Twitter, Rohde tha se pajtohet plotësisht me të, duke thënë se vendosja e qetësisë dhe ri-angazhimit janë të nevojshme menjëherë.
“Plotësisht dakord. Shkallëzimi dhe ri-angazhimi janë të nevojshme”, tha Rohde në Twitter.
Fully agree. Deescalation and re-engaging are the need of the hour https://t.co/M09hroESBE
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) September 23, 2021
Kurse, Giacobbe ka takuar të enjten kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku këtë takim e ka quajtur të mbarë teksa ka thënë se kanë biseduar për rëndësinë e riangazhimit në dialogun Kosovë – Serbi, për çështjen e targave.
“Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Twitter.
Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Vozitësit të cilët hyjnë brenda territorit të Kosovës por që automjetet e tyre kanë targa të Serbisë, obligohen që t’i ndërrojnë ato sapo të hyjnë këtej kufirit.
Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.
Për të kundërshtuar këtë vendim, në afërsi Jarinjes dhe Bërnjakut, qytetarët serbë kanë bllokuar rrugën tash e katër ditë.
Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Deri tani, nuk ka pasur asnjë incident./Shqip.com