Lajme

Ambasada e Ukrainës në Beograd: Është e papranueshme që Kremlini të përdorë “precedentin e Kosovës”, Ukraina respekton integritetin territorial të Serbisë

Flamuri i Ukrainës

Ambasada e Ukrainës në Beograd ka bërë të ditur se Ukraina mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë

Kjo është bërë e ditur përmes një reagimi nga ana e Ambasadës.

“Ukraina mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë”. Ne i konsiderojmë të papranueshme narrativat e diktatorit nga Kremlini, i cili po përpiqet të përdorë në mënyrë manipuluese ‘precedentin kosovar’ për përpjekjet për të legjitimuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës së pavarur dhe sovrane evropiane”, njoftuan sot nga ambasada e Ukrainës në Beograd, raporton Kossev.

Ky reagim vjen pasi Moska zyrtare, në një deklaratë në lidhje me referendumet për aneksimin e zonave ukrainase në Federatën Ruse, iu referua vendimit të vitit 2010 të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.

Ministria e Punëve të Jashtme ruse bëri të ditur se referendumet janë mbajtur në përputhje të plotë me standardet dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe më pas iu referua rastit të Kosovës.

“Populli i Donbasit dhe i Ukrainës jugore ushtroi të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje në përputhje me Kartën e OKB-së, marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga viti 1966, Aktin Final të Helsinkit të OSBE-së të vitit 1975 dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së për Kosovën më 22 korrik 2010. Ky i fundit ka konfirmuar se shpallja e njëanshme e pavarësisë së një pjese të vendit nuk cenon asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në njoftim e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në të njëjtën kohë, ata shtojnë se Ukraina mbështet aspiratat evropiane të Serbisë, si dhe se ofrojnë mbështetje për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën patronazhin e BE-së.

/Shqip.com