Ambasada e Amerikës: Kosova e Serbia t’i ulin tensionet menjëherë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kërkuar si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia të përmbahen dhe t’i ulin tensionet menjëherë.
Kjo thirrje nga ambasada amerikane u bë me anë të një postimi në Twitter, pas ndodhive të sotme në pikën kufitare në Jarinje, ku Forca Speciale të Policisë së Kosovës kanë dalë për të siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës.
Kjo ambasadë thotë se i bashkohet thirrjes që Bashkimi Evropian ia bëri Kosovës dhe Serbisë, pas tollovisë së krijuar në pikat kufitare si pasojë e vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për targa.
“Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian në thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe t’i ulin tensionet –menjëherë, pa vonesë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
We join the European Union in calling on Kosovo and Serbia to exercise restraint, refrain from further unilateral actions, and reduce tensions–immediately, without delay.
— U.S. Embassy Pristina (@USEmbPristina) September 20, 2021
Ndonëse po bëhet thirrje për ulje tensionesh, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media gjatë pasdites të së hënës tha se gjendja atje është e qetë dhe se për këtë vendim kane qenë të njoftuar edhe aleatët ndërkombëtarë, me të cilët ka edhe koordinim.
Ky vendim është nënshkruar sot nga Sveçla, ndërkaq një pjesë e veturave që po hyjnë nga Serbia në Kosovë nëpër pikat kufitare, veçse po iu vendosen tabelat e përkohshme. /Shqip.com