Ambasada amerikane bën thirrje për vaksinim kundër COVID-19: Mos bini pre e dezinformatave

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, u ka bërë thirrje qytetarëve që të imunizohen kundër Coronavirusit.
Përmes një postimi në Facebook, nga kjo ambasadë kanë bërë të ditur se “vaksinimi është zgjidhja e vetme”.
Sipas tyre, vaksinat janë të sigurta dhe efektive, njofton Shqip.com.
“Me Deltan vdekjeprurëse në rritje, vaksinimi është zgjidhja e vetme! Kur jeni të vaksinuar, nuk ka gjasa të merrni #COVID19 dhe nëse e bëni, do të jetë një rast i butë. Mos bini pre e dezinformatave – vaksinat janë të sigurta dhe efektive”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane në faqen zyrtare në Facebook.
Ndryshe, në 24 orët e fundit janë dhënë 14.616 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 460.297 doza të vaksinës./SHQIP.com