Ali Ahmeti: Maqedonia mund të bëhet me president shqiptar. Taravari s’është kandidat i përbashkët!
Kryetari i BDI, Ali Ahmeti deklaron se pas kryeministrit shqiptar, ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut të ketë edhe një President shqiptar.
Gjatë një prononcimi për mediat tha se nuk e përjashton veten e tij si kandidat për kreun e shtetit.
I pyetur për kandidaturën e ish-kryetarit të ASH, Ahmeti tha se ai nuk është një kandidat i përbashkët.
Pyetje: Z.Ahmeti, a do të kandidoni për President të Maqedonisë së Veriut?
Ali Ahmeti: Jo, unë e kam bërë një deklaratë edhe pse ka një informacion në media, por kjo çështje nuk është shtruar në organet e partisë. Do të diskutohet për të gjitha rrjedhat dhe organet e partisë do vlerësojnë tërë situatën, opsionet të gjitha janë të hapura dhe të shikojmë. Do të vlerësohet pastaj do të veprojmë.
Pyetje: Si e vlerësoni kandidaturën e Taravarit?
Ali Ahmeti: Fillimisht kemi menduar që të jetë një kadidat i pranueshëm prej të gjitha palëve, një kandidat që nuk ka angazhime të drejtëpërdrejta partiake, për të cilën gjë jam dakorduar. Të gjejmë një kandidat i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë, por ja që nuk ndodhi për fat të keq. Do të shikojmë më tej se si do të veprojmë.
Pyetje: A mund të kemi një president shqiptar në këto rrethana politike?
Ali Ahmeti: Asnjëherë nuk thuhet jo. Edhe për kryeministër shqiptar nuk besonte askush por u bë. Tani jetën e kemi përpara dhe duhet ndërtuar strategji, duhet ndërtuar teren për hapa të mëtutjeshëm.
Pyetje: A do të nxjerrë BDI-ja kandidat për president?
Ali Ahmeti: Sigurisht edhe BDI do të ketë. Përderisa u politizua kandidatura për President edhe Bashkimi Demokratik do të ketë kandidatin e vet.
/Shqip.com