Kulturë

Albana Beqiri / Zërat

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

Shkruan: Albana Beqiri

ZËRAT

Disa zëra sikur të kishin dalë nga barku i terruar i natës, vinin në veshin e saj si pëshpërima të çuditshme, si hukama e vajtime që s’dihej se kujt i drejtoheshin, Rina bëri çmos të deshifronte gjuhën e panjohur të atyre pëshpërimave, por nuk ja doli. Ishin zëra që i ndjente afër e larg njëkohësisht, në vesh i vinte aq afër pëshpërima e tyre, por kur përpiqej t’i deshifronte i largoheshin e largoheshin e tingëllonin sikur vinin nga një botë tjetër, tepër e largët. Vetëm ndjesia e vajtimit mbetej aty, si një peshë e rëndë që nuk i shqitej për asnjë moment, ishte si një lloj makthi a ankthi që pothuaj ia merrte frymën dhe ajo rrinte e mbante vesh për kumtin e zi që do t’i sillte.

Mbase ishte një lloj parandjenje që po ia brente shpirtin, po ia mundonte që sa kohë, po e lodhte pa e ditur pse, ishte mu sikur të ndihej në tensionin e diçkaje të keqe mbase, që mund të ndodhte ndërkohë edhe pse nuk kishte ndodhur ende e vetëm një Zot e dinte se kur do të mund të ndodhte. Ishte një lëmsh i vërtetë në të cilin vërtitej ditë pas dite pa e ditur tamam nëse po e mbështillte apo çmbështillte, thjesht ndihej e pafuqishme për ta ndryshuar gjendjen në të cilën ishte kredhur pa dëshirën e saj.

Zërat që i bëheshin sikur kishin dalë nga barku i terruar i natës ishin ende aty, edhe më të çuditshëm se më parë, duke i kukatur e vajtuar në vesh për kobe që nuk donte t’i dëgjonte. Rina nuk dinte t’i vinte një emër kësa situate, vendosi të mos mundohej fare, më mirë ta linte që gjithçka të rridhte ashtu si ishte nisur, me ritmin shqetësues të një parandjenje të kobshme që i ishte vizatuar brendive të shpirtit si një portret surreal në të cilin pjesët e fytyrës ishin ngatërruar në një lëmsh ku buza ishte vendosur sipër ballit, hunda mes syve, vetullat poshtë gojës e kështu me radhë.

Iu bë sikur po e shihte me sy atë portret surreal të vizatuar brendisë së shpirtit, në atë lëmsh gjymtyrësh dhe organesh të ngatërruar keqazi me njëri- tjetrin vetëm gushën nuk arrinte ta dallonte prandaj iu qesh, qeshi shfrenueshëm duke mbuluar kështu ndjesinë dhe dëshirën e dukshme për të qarë, nëse dikush do ta kishte pyetur në ato momente pse i vinte të qante, nuk dinte t’ i jepte asnjë përgjigje, e vërteta ishte se nuk kishte kurrfarë arsye të arsyeshme që të qante, asnjë për be, madje madje mendonte se në këtë fazë të jetës ishte njeri i lumtur, nëse vërtet ekzistonte lumturia jo si koncept, por si përjetim, Rina ishte e lumtur.

Ndjesia dhe gjendja e këtyre ditëve nuk kishte të bënte fare me ndonjë pjesë apo histori të jetës së saj, nuk ishte e ndikuar nga ndonjë ndodhi apo përjetim personal, thjesht po ndodhte brenda saj si një lëmsh ankthesh të cilat nuk po arrinte t’i shkoqiste me kohë. Qeshi sërish, këtë herë jo për të mbuluar ndjesinë e të qarit, por sepse përfytyrimi për një portret qoftë edhe surreal, por pa gushë iu duk aq qesharak sa e bëri fillimisht të vinte buzën në gaz e më pas të qeshte si e marrë. Qeshi mbase gjatë, nuk dinte ta ndante sesa kohë, mbase derisa kur e ndërpreu zilja e telefonit e cila filloi të binte me ngulmin e dikujt që donte të kumtonte patjetër diçka.

Veshur fund e krye me qyrkun komod të përtesës, mezi ku e bindi veten ta ngrinte atë dreq telefoni që binte e binte zhurmshëm e papushim, ndjesia e atij lëmshi të ankthshëm iu rikthye, njësoj si tingëllima e çuditshme e atyre zërave që dukej se kishin dalë nga barku i terruar i natës, zëri nga ana tjetër e telefonit i vinte i largët njësoj sikur të ishte nga një botë tjetër, krejt e ndryshme nga e saja, mezi ku arriti ta dëgjonte bashkëbiseduesen që sikur pëshpëriste mbytur, hoqi ca derisa më në fund e kuptoi se i telefononte nga laboratori në të cilin mëngjesin e asaj dite kishte bërë disa analiza rutinë, nuk dinte që sa kohë e kishte nisur këtë ndërmarrje të bërjes së analizave pa ia kërkuar doktori, por dinte se i ishte kthyer në një lloj tradite që Rina e zbatonte me përpikmëri çdo gjashtë muaj, bashkëbiseduesja i tha se përgjigjet e analizave ishin gati, por pasi t’i merrte duhej të bisedonte me mjekun laburant, i cili e priste në çdo kohë deri në pasditen e vonë. Rina e mbytur nga ajo ndjesia e ankthit e frikës së pashpjegueshme, ndonëse telefonata i tingëlloi e çuditshme dhe e tillë ishte, as që arriti me mendjen e saj të bënte një lidhje mes përgjigjes së analizave dhe takimit me mjekun laburant.

Atëbotë nuk e dinte se vetja e saj e frikësuar po e refuzonte me stoicizëm këtë lidhje që në një mënyrë ose në një tjetër ishte e qartë dhe e kthjellët, po aq e qartë dhe e kthjellët sa drita e diellit. E hoqi mendjen nga telefonata dhe në mend iu soll portreti surreal i njeriut pa gushë dhe iu qesh sërish, qeshi e qeshi derisa brinjët filluat t’i dhembnin nga të qeshurat e paplrmbajtura.

A do t’i kishin dhembur brinjët po kaq njësoj sikur në vend se të qeshte, të kishte qarë? Nuk e dinte, tani që po e mendonte, kuptoi se nuk kishte qarë kurrë aq shterueshëm në jetën e saj. Kishte derdhur hera herës ndonjë pikë loti, por vetëm kaq, në jetën e saj nuk kishin ndodhur ngjarje të rënda, me peshë të tillë që të justifikonon të qara aq të mëdha.

Qeshi sërish, mbase sepse nuk donte të qante, pesha e ankthit iu rrit edhe më, por vendosi të mos ia vinte veshin. Telefonatën e çuditshme nga laboratori ku kishte bërë analizat e hodhi menjëherë pas krahëve si një rrobe të panevojshme, ia fali bujarisht harresës dhe u mundua të rikthehej në rutinën e zakonshme të jetës së saj të zakonshme.

Mori në dorë librin që ishte duke lexuar dhe u mundua të harrohej mes faqeve të tij, lexonte stoikisht gërmat e lidhura mes tyre në fjalë, pastaj fjalët e lidhura mes tyre në fjali, pastaj fjalitë e lidhura mes tyre në paragrafë, pastaj… e kështu me radhë, por çuditërisht i gjithë ai grumbull shkronjash, fjalësh e fjalish nuk kishte asnjë kuptim, lexonte si robot, përpinte me shpejtësi marramendëse faqe të tëra pa e ditur se çka po lexonte.

Nuk shkoi në laborator të merrte përgjigjen e analizave, as atë ditë as në ditët pasuese. Rreth dy javë i iku përballjes me analizat, me vetveten apo edhe me mjekun laburant, derisa një ditë kishin telefonuar sërish nga laboratori dhe i kishin rikujtuar takimin me mjekun.

***

Zërat që sikur vinin nga barku i terruar i natës nuk ishin më pëshpërima të çuditshme, ato u deshifruan vetvetiu në momentin kur mori përgjigjen e analizave dhe u përball me të vërtetën e hidhur të cilës i kishte ikur (pa)vetëdijshëm. Ajo që pasoi më pas ishte një kalvar dhembjesh e frikërash që dukej se nuk do t’i iknin më kurrë, sado të mundohej, edhe sikur fitimtare të dilte nga ajo luftë e vështirë, Rina e dinte se asgjë nuk do të ishte më si më parë.

Kishte raste kur e merrte malli për ato ditët e padijes së saj të bukur për atë që e priste, madje madje e merrte malli edhe për ato dy javët kur bëri gjithçka që t’i ikte përballjes me të vërtetën, kur injoroi gjithçka, çdo shenjë, çdo të dhënë ndërkohë që qelizat brenda trupit të saj ishin çmendur dhe bënin turr të ktheheshin në qeliza të kanceroze e të zaptonin sa më shumë territore.

Një ditë teksa kërkonte mes raftit të librave, hasi në librin të cilin ditën që e kishin thirrur nga laboratori e kishte lexuar brenda ditës nga fillimi në fund, e kishte përpirë gërmë pas gërme pa kuptuar asnjë fjalë të vetme. Vetëm sa lexoi titullin iu kujtua gjithçka, çdo fjalë e ndodhi e atij libri që sikur ishte shkruar për të, kuptoi se ajo vetë ishte personazhi kryesor i librit, kuptoi se ishte ajo, gruaja që i arratisej lajmit të keq.

/Shqip.com