Kulturë

Albana Beqiri / Tim eti

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

TIM ETI

Unë e di: shiu qan nga mungesa jote.
Qau shumë që atë ditë që shkove. Qau edhe ma pas
Dielli përvëlon nga mnia që ti nuk e përshëndet ma.
Mban mend si i gëzoheshe ngrohtësisë së tij.

O Zot sa shumë mend që mban…
Për hanën të mos flasim. Përgjaket për ty sa herë bahet e plotë.
Nga malli për ty përgjysmohet e hahet deri në asht.
Pastaj sërish përgjaket e sërish nga malli qan.

Agut i ka mbetë në mend e fundmja ditë e jotja
Ike pa ja pa synin që i çel, pa e përshëndet.
E deshe shumë e sërish ike.
U ktheve në kujtim e në mall që klith e pëlcet.

Unë e di: ti je diku përtej qiellit e përjetësisë.
Qesh me shiun që qan për ty. Ia mbledh kadalë lotët:
e diellit ja shuen zjarrminë me ta
Hanës i dërgon letra të bukura dashurie,
shkrue nëpër ylberë andrrash pa za

Me agun kapesh përdore dhe fluturon aty ku s’ka fund
e as skaj

Poshtë dritareve të andrrave unë qaj si shiu për ty
përvëlohem si dielli, si hana e ha veten papra
e kur vjen agu shkrehem në vaj: jam e tana mall…

/Shqip.com