Kulturë

Albana Beqiri / Kur t’mos jem ma…

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

KUR T’MOS JEM MA…

Kur t’mos jem ma
ti jeto tanë jetët që nuk i jetuem
bashkë,
jeto gëzueshëm sikur unë të jem
me ty,
gjithmonë në cepin tjetër të andrrës
tue t’ mendue e aq fort
tue t’ dashtë
mjafton me e ngrit dorën
e si me kenë pas dere menjiherë
do t’shfaqem aty.

Nga ana tjetër e dekës
tue t’pa, tue t’pa unshëm n’sy.

Kur t’mos jem ma
ti jeto furishëm si nuk ka jetue
askush ma parë
jetoi tana andrrat tona, jetoi
edhe për mue
jetoi të tana stinët si me kenë
pranvera t’gjelbrueme
jetoi etshëm e thithua njat
nektar
jeto jeta ime, jetës tue iu gzue.

Tmerroje dekën me at dashni
që veç unë e ti ditëm me i dhanë shpirt
e me e mbajtë gjallë dimrit
t’egërsuem
jeto edhe për mue derisa andrrash
t’shfaqem me t’përqafue.

Mos harro: edhe përtej dekës unë
të due…

/Shqip.com