Albana Beqiri / Kosova
KOSOVA
Kosova – dheu yt më thanë si fëmijë
unë nuk e dija ç`ish Kosova
Atdheu im e kishte emrin Shqipëri…
sa herë vinte dimri i butë që s`merrte egër
gjyshi ngrysej, trishtohej,
kruspullohej nën një velenxë të vjetër
i ngrysur e i pashpresë kërkonte një dimër tjetër
“Kosova, psherëtinte, ka dimën për burra
asht tjetër dimën ai, nuk asht tinzak
Kosova oh Kosova…. Kosova….”
belbëzonte plaku dhe tkurrej dhe heshtëte
derisa pranvera trokiste prapë në prag….
Portreti i gjyshes ishte dhe më tragjik
Kosova e vdiste, Kosova e ngjallte
qante heshturazi,
vajtonte të vdekurit që s`mundi t`i varroste
vajtonte të gjallët që s`mundtëte t`i takonte
ma prekte pastaj ballin
dhe qeshte dhe qante
“Kosova.. oh Kosova… mos harro asht dheu i të parëve”
Kur u rrita pak e me vite hodha shtat
u ula nën një hije, me pamje hijerëndë fëmije
tim eti i vura lak, e pyeta fap e fap:
“Kosova, ç`është Kosova, tregomë çka është ky dhè
që me vite po më thoni se e kam mëmëdhe
po cila është Kosova, ky atdhe i pafat
a jemi ne shqiptarë a jemi kosovarë?
Kosova, ç`është Kosova, tregomë çka është ky dhè
që me vite po më thoni se e kam mëmëdhe?”
-“Kosova është Kosova dheu i bekuar
më i bukuri mëmëdhe që mund ta kenë shqiptarët
ti hesht, mos u brengos, ke kohë për ta kuptuar
Kosova është Kosova”- im atë më qeshi vranët.
“Kur t’më vjen deka due me dekë në Kosovë”, thoshte gjyshi
“kur t’më vjen deka, baj o Zot me dek në Kosovë”, lutej gjyshja
“mos vdeksha pa shkue dhe njiherë në Kosovë”, thoshte Babai
Nëna heshtëte dhe më thoshte se jemi kosovarë
Motrat e dinin se ishim shqiptarë kosovarë
Unë thosha: “kur të rritem do të shkoj në Kosovë”
Gjyshi vdiq në dimrin tinzak që s`ishte i Kosovës
edhe gjyshja vdiq në po të njëjtin dimër
shkoi dhe im atë, pa shkelur asnjëherë në Kosovën e vet
nëna më vonë nga një lule Kosove ua mbolli te varri të treve
motrat tash e dinë kë kanë atdhe
Unë u rrita dhe shkova në Kosovën e andrrave
e përfundimisht e zgjidha enigmën…
/Shqip.com