Kulturë

Albana Beqiri / Blerta

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

BLERTA

Sapo më shkeli këmba në atë dhomë spitali, ndjeva një lloj angushtie që gati po ma zinte frymën, u përpoqa ta kaloj në heshtje dhe pa ndonjë shpërfaqje të dukshme që do të tërhiqte vëmendjen e të tjerëve, veçmas të Blertës, e cila shtrirë në atë shtrat dhe e lidhur mbas atyre tubave dukej si e humbur në kohë dhe në hapësirë. Ishte mpakur dhe plakur brenda një kohe shumë të shkurtë, një tufë flokësh të zbardhura ishin harlisur kokës së saj të bukur duke ndjellë zbardhjen e pandalshme edhe të flokëve të tjerë, proces që do vazhdonte derisa flokët të ishin aty në kokën e saj, sa pa rënë ende nga kimioterapitë. E strukur brenda ca pizhameve që edhe ato kishin filluar t’i rrinin të mëdha, Blerta m’i kishte ngulur sytë e trembur dhe mua mu qa, natyrisht që nuk e bëra, edhe po të doja të qaja nuk kisha më lot, ato më ishin shterur vite më parë kur përpëlitesha gati e pafrymë nga frika e tmerri, në të njëjtat valë ku vërtitej pothuaj e pashpresë Blerta sot. U pamë për një çast në sy, nuk folëm asnjë fjalë, kishin folur mjaftueshëm sytë tanë, andaj veç heshtjes asgjë tjetër nuk do të kishte kuptim, së paku për disa minuta sa të mësoheshim me faktin se pas aq kohësh po takoheshim në një dhomë spitali. Sa kohë kishim pa u parë? Zot, një jetë të tërë, pas diplomimit Blerta emigroi në Itali dhe që atëherë ishim parë disa herë, por jo aq sa do donim, jo aq sa e madhe kishte qenë miqësia jonë që zinte fill nga fëmijëria e hershme, por edhe pse nuk ishim parë aq shpesh, kishim diçka me të cilën mund të mburreshim: e kishim ruajtur komunikimin dhe miqësinë, fillimisht mes letrave dhe telefonatave e më pas edhe përmes botës virtuale, aq shumë komunikonim së fundmi sa besoj se ja dinim njëra- tjetrës secilën rrudhë apo thinjë që na shtohej rishtas (komunikimi me kamerë na e kishte bërë të mundur këtë dhuratë). Megjithatë ballas po takoheshim pas aq shumë vitesh dhe tanimë asnjëra prej nesh nuk ishte ajo që kishte qenë dikur, hodha me shpejtësi ata pak hapa që na ndanin dhe u gjenda buzë shtratit, mu sipër kokës së saj, pa thënë asnjë fjalë e pushtova mes krahëve të mi dhe ndjeva trupin e saj të lehtë pupël sesi lëshohej gati pa gravitacion, mu qa sërish e sigurisht që nuk e bëra, nga përvoja e dija se lotët mund të lexoheshin lehtësisht si shenjë e mëshirës dhe Blerta në ato momente kishte nevojë më së paku për mëshirë. Ndieja frymëmarrjen e saj të përshpejtuar, edhe drithërimat që ia kishin mbërthyer krejt trupin, ishte e frikësuar deri në palcë dhe nuk bënte asnjë përpjekje ta fshihte këtë, ia ndieja lotët si i shushurinin së mbrendshmi, edhe pak do i shpërthenin syve dhe për fund nuk do të mund t’i mbante ngashërimat.

-E dashur, ti duhet të bëhesh e fortë,- vetëm kaq munda t’i pëshpëris, pothuaj e turpëruar që nuk ja kisha dalë dot t’i them kurrgjë tjetër veçse një klisheje bajate.

-Ti e di si ndihem unë. Ti e kupton, ti…, vetëm kaq mundi të thoshte, ngashërimat e gulçet nuk e lanë të vazhdonte, e përmbytur brenda tyre ajo u përhumb dhe sikur të mos i përkiste më kësaj bote shpërfaqi një lloj indiference të paqtë për gjithçka që i përkiste botës ku ende frymonte, për dhembjet e saj, për frikën, për sëmundjen, për luftën, për jetën dhe për vdekjen. Seku e gjeta një stol dhe u ula përballë saj, ia mbaja fort dorën dhe sytë e mi shihnin me ngulm të sajët, që të plogështuar ishin ngulur në një pikë të hapësirës pa vërejtur çfarë ndodhte përreth. Më vinte ta shkundja një herë fort, e t’i thosha se duhej të mblidhte veten e të luftonte, asgjë e mirë nuk vinte nga frika, as nga të hequrit dorë, as nga dorëzimi.

-E mban mend si je ndier kur e more vesh për herë të parë lajmin?,- zëri i saj pyetës më erdhi në vesh si një pëshpërimë e dëshpëruar duke u përplasur më pas krejt i pashpresë hapësirës së reduktuar të dhomës së spitalit. Në fillim nuk fola, nuk kisha se ç’të thosha, sado që përpiqesha e kisha  pothuaj të pamundur të risillja në kujtesë gjithë vrushkullin e ndjesive që më patën pushtuar kur mora vesh përgjigjen e biopsisë. Kisha përshtypjen se kjo kishte ndodhur një shekull më parë, apo nuk kishte ndodhur fare? Pse dreqin kjo puna e sëmundjes ishte si një rreth vicioz nga i cili nuk dilje dot kurrë? Edhe nëse shëroheshe, do dilte gjithmonë dikush, një i afërm, një i njohur që prekej nga kanceri dhe ti do filloje nga e para odiseadën e atyre përjetimeve që kishin lënë vragë të thella në shpirtin tënd, për të të kujtuar se asgjë më nuk ishte si më parë, as ti vetë.

Kur sytë e mi u ndeshën sërish me sytë e Blertës e ndjeva deri në asht ankthin që fshihej në të sajët, mu dhims deri ku nuk mban më, ajo ngjante me një trumcak të mërdhirë e të trembur për vdekje dhe unë e ripashë edhe një herë veten e dikurshme te Blerta e tanishme. Duhej, megjithatë t’i ktheja një përgjigje.

-Më duket se në fillim nuk e kuptova fare atë që më tha mjeku, ose më mirë të them as vetëdija e as nënvetëdija ime nuk ishin përgatitur për të marrë atë përgjigje. Në dy javët derisa erdhi përgjigja e biopsisë e kisha harruar fare atë fakt, asnjëherë të vetme nuk e pata çuar mendjen te biopsia, përgjigja apo diç e tillë, nuk kisha pse të shqetësohesha, mjeku më pat thënë se biopsia ishte një lloj protokolli, po e bënim më tepër për të hequr merakun dhe me gjasë kaq kishte mjaftuar që unë ta merrja të mirëqenë shëndetin tim. Aq shumë isha e bindur se isha kuq si molla, sa as për të marrë përgjigjen nuk do të kisha shkuar,- ndjeva se duhej të merrja frymë ndaj heshta për një çast.

-Po kur ta kumtuan rezultatin, atëherë, atëherë si u ndjeve? Kjo po më intereson…, – Blerta ia kishte mësyrë ta bënte atë bisedë edhe sikur unë të mos doja.

-Fillimisht as që e kuptova se ç’po më thoshte mjeku. Mendja ime refuzoi gjithçka, sidomos idenë e sëmundjes. Reagimi i parë ishte një e qeshur shpërthyese dhe e pakontrolluar, po, po qesha me të madhe, nuk di për sa kohë, por qesha derisa ndjeva brinjët të më dhembnin fort, e kur pastaj ndesha me sytë e hutuar e të mbushur mëshirë të mjekut fillova të ndërgjegjësohem.

-Dhe?- Blertës me gjasë nuk i pritej, prandaj më ndërpreu me dëshirën të më nxiste të  tregoja edhe më shumë.

-Dhe asgjë. Në ato momente kuptova se për mjekun isha vetëm një statistikë, se gra si unë kishte parë me mijëra në karrierën e tij dhe se duhej të luftoja nëse doja të futesha në anën e mirë të statistikave të tij, te të shpëtuarat. Atë bëra, luftova dhe ja ku jam, numër në anën e staristikës së mirë!, – e ndjeva se po flisja sikur doja t’i jepja fund kësaj bisede.

-Sikur të ishte kaq e lehtë dhe e thjeshtë sa e thua ti…,- Blerta ofshau thellë dhe mua se ç’më kaploi një inat i paemër me të, më shumë ishte një lloj inati i përzier me doza frike se mos ajo tashmë ishte dorëzuar, kisha vite pa e parë, kisha kaluar detin për ta takuar dhe do të ishte e tmerrshme sikur të kisha ardhur kaq vonë, vonë në betejën e saj shpirtërore me kancerin, po sikur ai i mallkuar ta kishte mposhtur tashmë emocionalisht e shpirtërisht? E ndërsa më endej mendjes ideja e një efekti domino e kisha të qartë se çfarë do të pasonte: shkatërrimi fizik deri sa Blerta ta humbte përfundimisht edhe atë luftë. Dreq, i thashë vetes, kjo nuk duhet të ndodhë, nuk duhet lejuar të ndodhë, nëse unë ja kisha dalë, atëherë pse nuk do ja dilte Blerta?

-Jo, e dashur, nuk është e thjeshtë, shumë e komplikuar është dhe ti duhet të përgatitesh për këtë,- i thashë, ndërsa ende vazhdoja t’ia mbaja të shtrënguar dorën e verdhur e të dobësuar mes duarve të mia, pak më herët kisha shtrënguar fort trupin e saj të drobitur aty mes krahëve të mij dhe më ishte dukur aq e papeshë. Mu kujtua vetja 39 kilogramëshe dhe pata frikë se po aq kilogramë ishte katandisur edhe ajo.

-A të ka shkuar ndonjëherë mendja të dorëzohesh?,- pyeti Blerta gjithmonë duke u dridhur si zog.

-Shumë herë, aq shumë sa dikur nuk arrija t’i numëroja dot.

-Si ja dole pra? Si?- nuk arrija të kuptoja pse Blerta po ngulmonte aq shumë te kjo kahje e bisedës, kur ne as që ishim përshëndetur mirë, as kishim shkëmbyer qoftë edhe informatat më të thjeshta të jetës sonë e të mendosh që kishim aq shumë vite pa u parë fizikisht.

-Si dreqin ja dola? Nuk e di për besë, mbase se instinkti i jetës ishte përtej meje e dëshira për të mbijetuar ishte më e madhe sidomos kur doja të dorëzohesha.

-E unë, unë ku dreqin isha kur ti ishe aq e sëmurë, kur ti ishe në një shtrat të këtillë spitali? Sigurisht në shtratin tim të butë e të rehatshëm, e rehatuar brenda jetës sime luksoze, ndërsa ti ja ku je sot, këtu, me mua në këtë dreq spitali, ti…- Blerta nuk kishte ndërmend të lëshonte pe dhe mua më therri në shpirt ajo ndjenja e saj e fajit, nuk e kuptoja pse duhej të ndihej aq fajtore, ndaj mu desh ta ndërpres:

-Zemër ti ishe atje ku duhej të ishe, nuk ke arsye të ndihesh fajtore, tek e fundit unë të tregova shumë vonë. Por ta lëmë këtë bisedë, kemi se për çfarë të flasim,- tentova t’i jepja fund bashkëbisedimit të tillë që po bëhej i vështirë.

-Kishe frikë nga vdekja?- sikur të mos më kishte dëgjuar fare Blerta vazhdoi me të vetën.

-Shumë. Më shumë se mund të kesh frikë ti tani,- e dorëzuar iu përgjigja me sinqeritetin e njeriut që vërtet e ka përjetuar vdekjen.

-A bëre një listë të gjërave që do doje t’i bëje para se të vdisje?,- mu qesh me këtë pyetje që Blerta e bëri me sinqeritetin e secilës pyetje të deritashme.

-U ula ta bëja, por kuptova se nuk kisha shumë gjëra që doja t’i provoja me patjetër, në të vërtetë nuk kisha fare. Kisha udhëtuar mjaftueshëm për të dashur të bëja një udhëtim rreth botës, le që nuk jam fare e dhënë pas udhëtimeve, nuk kisha ndonjë majë të lartë të botës ku doja të ngjitesha, as varrin e ndonjë të famshmi që doja ta vizitoja, as nuk kisha ndonjë idhull të gjallë që doja të takoja, as ndonjë peng që doja ta realizoja, asgjë të këtillë. Thjesht kisha dëshira më tokësore, më të realizueshme, të lexoja libra të mirë, të dëgjoja muzikë e të shihja filma të mirë, të vizitoja ndonjë galeri e muze të mirë (një pjesë të mirë të tyre veç i kisha vizituar) me një fjalë të ruaja higjienën shpirtërore. Kuptova se dëshira më e madhe e imja në ato momente ishte të jetoja për të përjetuar kënaqësitë e vogla që e përbënin listën time të dëshirave.

-Nuk është se unë kam ndonjë listë më të mirë. Ose jam shumë e çoroditur tani për të bërë lista dëshirash, ose edhe unë si ti kam vetëm dëshira të vogla e të thjeshta,- foli Blerta dhe në tonin e zërit të saj ndjeva një lloj keqardhjeje që megjithatë nuk ja kishte dalë të bënte një listë të hajrit.

-Nuk ka se ç’të duhet lista. Nuk ke nevojë për të, duhet të mbledhësh forcat e të luftosh. Do kesh kohë me bollëk pastaj për të plotësuar dëshira të arsyeshme apo edhe të paarsyeshme, sido që t’i kesh,- iu drejtova me tonin e njeriut që është i sigurtë për ato që thotë. Edhe pse as vetë nuk isha e sigurtë në atë që po i thoja, e ndjeja se Blerta kishte nevojë për ato fjalë, në fund të fundit unë kisha marrë rrugën e kaluar detin vetëm që t’i qëndroja pranë në këto ditë të vështira të jetës së saj, më të vështirat që po të kishte fat t’i mbijetonte sëmundjes, do të linin vragë të madhe në jetën e saj, e nëse vërtet do të ishte me aq fat, asgjë më pas nuk do të ishte njësoj, asgjë, as edhe një sekondë e vetme e jetës së saj të mbushur me frikën përgjuese se ndoshta sëmundja do kthehej sërish.

-A thua ja vlen të luftoj? Do t’ja dal dot?- sikur të m’i kishte lexuar mendimet Blerta që u shkëput nga krahët e mi të lodhur nga rruga, më vështroi drejt e në sy me ngulmin e njeriut që kërkon patjetër të marrë përgjigjet e duhura.

-Ja vlen edhe atëherë kur kjo duket e pamundur. Pastaj, çfarë dreqin është kjo pyetje kaq idiote? Vërtet mendon se e ke luksin të dyshosh nëse vërtet duhet të luftosh apo jo?- fola e bindur se duhej patjetër ta shkundja e nëse mundesha ta ndërgjegjësoja për atë që e priste. Ishte një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, hera herës tmerruese aq sa të mendoje madje edhe dorëzimin, por nëse do donte Zoti në fund do përfundonte mirë. Blerta duhej të përgatitej për këtë, ishte e shtrirë aty përballë meje dhe më vështronte me ata sytë e saj të tmerruar, dridhej e përpëlitej brenda frikës së saj duke kërkuar një shpjegim apo arsye të arsyeshme pse pikërisht asaj po i ndodhte e gjithë kjo, por unë nuk kisha asnjë shpjegim, ashtu sikurse nuk kisha pasur as për veten time, thjesht mund t’i flisja për përvojën time, por jo më shumë.

-Unë e di se tani brenda vetes ke frikë, pasiguri, dhembje, dëshpërim, demoralizim, pikëpyetje të shumta dhe pyetje që kërkojnë përgjigje, nuk është e lehtë t’i përballësh, por në një mënyrë ose në një tjetër duhet ta bësh, në mos sot, nesër, pasnesër ose në një nga ditët e ardhshme. Është lufta jote dhe vetëm ti mund ta fitosh, askush tjetër nuk mund të luftojë për ty, as të fitojë për ty,- fola duke e prishur radhën e dialogut.

-Si ja dole pra? Ku dreqin e gjete gjithë atë forcë brenda vetes, forcë që unë nuk e kam?- Blerta gati bërtiti dhe mua mu dhims sërish. Po të kisha mundur do ja kisha hequr me dorë sëmundjen dhe do ja kisha kursyer të gjitha dhembjet e frikërat që do i jepte ajo.

-Si ja dola? Nuk di të të tregoj tamam, thjesht ja dola. As unë nuk besoja se e kisha këtë forcë, duke luftuar, duke e gjetur brenda vetes, derisa erdha një ditë që u pajtova me fatin, mora mësimin se “atje ku Zoti kishte vendosur pikë, unë nuk do të vendosja pikëpyetje”. Besoj se ky ishte një zbulim i rëndësishëm që më çliroi disi nga frika dhe unë eca përpara,- shihja Blertën si m’i kishte ngulur sytë a thua te fjalët e mia do gjente përgjigjet e duhura për gjithë pështjellimin që i ishte krijuar dhe doja vërtet të kisha asi fuqie që ta shpëtoja nga gjithë dhembjet që e prisnin. Pa e kuptuar si rrëshqita në kujtime, u ktheva shumë mbrapa në kohë dhe me sytë e mendjes pashë dy vajza të vogla që luanin e harliseshin në karuselin e madh te këndi i lodrave, Zot sa të pafajshme ishin, sa të lumtura në padijen e tyre për jetën dhe për botën! Nuk di sesi, por vajzat e vogla u shndërruan në zonjusha të vërteta të cilat me lumturinë e pafajshme që u vizatohej syve vazhdonin të ishin po aq te paditura për pafundësinë e botës dhe larushinë e jetës. Tani, mesogra ato ishin përballë njëra-tjetrës në atë dhomë të ftohtë spitali dhe të pafuqishme para misterit të sëmundjes e cila nuk dihej pse dhe si i përzgjidhte viktimat e veta, nëse ishte Zoti ai që e bënte këtë përzgjedhje ato ndiheshin edhe më shumë të pafuqishme.

-Mirë,- m’i preu mendimet Blerta, – po bëj si ti, nuk po tentoj të vë asnjë pikëpyetje atje ku Zoti ka vendosur pikë, por a do të vuaj shumë?

-Nuk ka shkallë krahasimi për vuajtjet zemër, asnjë lloj etaloni matës për to, asnjë vuajtje nuk është e njëjtë me tjetrën e është humbje kohe të mendosh paraprakisht për to, thjesht lufto pa menduar shumë, lufto, lufto, lufto dhe vetëm lufto,- nuk e kuptoja as vetë se ku e gjeja gjithë atë qetësi, kur brenda vetes po vloja nga trazimi dhe nga dhembja që më kishte kapluar që prej momentit kur kisha marrë vesh se Blerta ishte diagnostifikuar me kancer.

-Faleminderit që je këtu me mua zemër, -foli Blerta dhe mua mu bë sërish sikur pashë atë vajzushkën e dikurshme, shoqen e fëmijërisë që qeshte e lumtur në atë paditurinë e saj për botën. Mu bë se nuk ishim në një dhomë spitali në Itali, por në një nga rrugët e qeta e të gjelbëruara të Tiranës duke ngrënë aq shijshëm akullore me kaush, i shihja dy vajzushkat që flisnin diçka me zë të lartë, diçka që unë nuk arrija ta dëgjoja, ato flisnin, pastaj qeshnin, flisnin sërish, qeshnin e flisnin njëkohësisht dhe unë po vdisja nga kurioziteti të merrja vesh se çfarë aq interesante mund të bisedonin dy vajza aq të vogla e të pafajshme. Dikur u hipën biçikletave të tyre të vogla dhe nisën një garë që nuk dihej se cila prej tyre do ta fitonte.

-Edhe sikur mos t’ja dal dot, vetëm fakti që ti ja ke dalë, se ti je dëshmia se kanceri mund të mundet, për mua do të thotë shumë. Do të thotë shpresë, do të thotë mosdorëzim,- Blerta që i tha këto fjalë nuk ishte më ajo vajzushka me bishtaleca të zinj që bridhte rrugëve të Tiranës majë bicikletës së saj të kuqe, ishte kthyer në Blertën 39 kilogramëshe që luftonte me vdekjen pa e ditur se cila prej të dyjave do të fitonte në fund. Ia zgjata sërish dorën dhe u afrova edhe më afër shtratit të saj, nuk më bëhej të flisja, më pëlqente aq shumë ai bashkëbisedimi ynë me sy, dora e saj e verdhur si një letër cigari më shtrëngoi aq sa mundi, poshtë lëkurës dalloheshin qartë venat e nxira dhe mua më pikoi sërish në shpirt, mu qa, lotët u mblodhën në grykë si një nyjë e stërmadhe të gatshëm të rridhnin syve, por sërish e mbajta veten, kisha kohë për të qarë, tani ishte e rëndësishme vetëm të ruaja qetësinë, qetësia ime mund ta ndihmonte Blertën, e cila që prej momentit kur kishte marrë vesh për sëmundjen duhej të kishte qarë mjaftueshëm sa për një jetë njeriu. Sytë tanë u ndeshën mes veti dhe filluan të bisedonin përmes një kodi që e dinin vetëm ata.

-Lufto, mos u dorëzo,- iu lutën sytë e mi syve të saj të frikësuar,- ti duhet të fitosh, për vete dhe për mua, unë nuk do ta kisha duruar dot edhe humbjen tënde.

-A e di cila është pjesa më e vështirë kur merr statusin e të mbijetuarës?- sytë e mi kishin marrë përparësinë e bisedës dhe pa pritur ndonjë deklarim prej syve të Blertës vazhduan,- është pikërisht ai momenti kur merr vesh se dikush e humbet betejën me kancerin. Po sikur të kisha qenë unë në vend të tij/ saj?, pyet veten dhe zhytesh në një limonti e trazim emocional të paemër që zgjat me ditë të tëra. Po sikur?… kjo pyetje nuk të shqitet nga mendja deri në momentin kur fillon të qetësohesh.

-Bëhu busulla ime orientuese në këtë pyll të errët e të frikshëm të sëmundjes,- këtë herë Blerta foli me zë, jo përmes syve dhe unë u ktheva sërish në kohë, vajza me bishtaleca të zinj e biçikletë të kuqe u rikthye sërish dhe unë nuk dija si t’i gëzohesha haresë së saj.

-A bëjmë një garë me biçikleta?- e pyeta papritmas, as vetë nuk e di se nga më erdhi kjo pyetje aq groteske për atë ambient dhe për ato rrethana, por ajo me gjasë bëri efekt te Blerta, edhe te vogëlushja me bishtaleca të zinj, ato të dyja u shkrinë te njëra tjetra dhe u bënë një.

-E di që kam një biçikletë të kuqe në shtëpi, në garazh? Gjithmonë e kam pasur një të tillë,- zëri i Blertës erdhi në veshët e mi i thellë e shurdhues, sikur vinte nga ndonjë botë tjetër, edhe unë kisha t’i bëja një pohim të ngjashëm:- edhe unë kam në shtëpi një biçikletë rozë, më duket se nuk punon më, por unë e mbaj aty, gjithmonë do të jetë aty.

Blerta me gjasë ishte lodhur, sepse nuk foli më, me bisht të syrit pashë sytë e saj të mbyllur, mbylla edhe unë ngadalë sytë e mi dhe në terrin e verbërisë së përkohshme mu shfaqën dy vajzat e vogla, njëra me biçikletë të kuqe e tjetra me biçikletë rozë, të cilat nisën një garë me biçikletat e tyre të çuditshme. Do doja që gara të mos mbaronte kurrë dhe dy vajzat të mbeteshin përgjithmonë ashtu të qeshura, të hareshme e të lumtura në paditurinë e tyre për botën dhe për atë që i priste.

/Shqip.com