Alban Ukaj në Festivalin e Filmit në Kanë: Pata fatin të punoj me regjisorë të mëdhenj

Aktori kosovar Alban Ukaj të enjten ishte pjesë e Festivalit të Kanës.
Aktori ka qenë protagonist në filmin “Tori dhe Lokita”, me regji të Jean-Pierre & Luc Dardenne, film ky i cili u përfshi në programin konkurrues të këtij festivali, shkruan KultPlus.
Ukaj, gjatë parakalimit në tapetin e kuq dha edhe një intervistë për mediat e pranishme atje.

I pyetur se si ka shkuar puna në set me regjisorët Jean-Pierre dhe Luc Dardenne, aktori Ukaj përgjigjet se puna me ta është një shkollë aktrimi më vete.

“Në xhirime ata janë si mësues, janë si miq të mirë dhe janë regjisorë të mëdhenj. Gjithashtu, ata janë nga intelektualët më të mëdhenj që kam takuar ndonjëherë në jetën time dhe me të vërtetë unë e bëra edhe një shkollë të re të aktrimit kur punova me ta”, thotë Ukaj.
Tutje, ai tha se ajo që ka mësuar nga këta dy regjisorë ishte sinqeriteti, bëhu i sinqertë aq sa mundesh.