Lajme

Alban Hyseni nuk e përjashton mundësinë e koalicionit me PDK-në në Gjilan

Alban Hyseni, kryetar i komunës së Gjilanit

Kryetari i ri i Komunës së Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Hyseni, tha se nuk e përjashtojnë mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës në këtë qytet, përcjell Shqip.com.

Sipas tij, kjo do të bëhet për shkak se “PDK në nivelin nacional dallon nga ajo e nivelit lokal”, teksa thotë se e përjashtojnë vetëm koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lexo edhe:
Vota e diasporës vendimtare për Junikun, këto janë rezultatet

“Lexova nga mediat lokale se unë paskam refuzuar koalicionin me LDK-në dhe PDK-në. Është e vërtet se me LDK-në nuk bëjmë koalicion pasi është parti që kemi garuar shumë ngushtë, derisa nuk përjashtohen partitë tjera. Jemi të hapur për subjektet tjera politike, por baza jonë e bashkëpunimit do të jetë programi dhe kuadrot cilësore. Pa qeverisje stabile nuk mund të shtyhen përpara projektet”, tha Hyseni në RTV Dukagjini.

Ndryshe, të dielën, më 15 nëntor, është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale ku në Gjilan fitues doli Alban Hyseni nga LVV me 21 mijë e 374 vota apo 51.03 për qind, kurse Lutfi Haziri i LDK-së ka marrë 20 mijë e 515 vota apo 48.97 për qind./SHQIP.com