Alban Hyseni jep dorëheqjen nga posti i deputetit

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka dhënë dorëheqjen nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës.
Dorëheqja vie pasi Hyseni fitoi në zgjedhjet e mbajtura në nivel komunal.
“Sot firmosa dokumentin e dorëheqjes nga pozita e deputetit. Ju faleminderit të gjithë kolegëve pa dallime partiake, për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe”, ka shkruar Hyseni në Facebook, përcjell Shqip.com.

Më tej ai ka shtuar se “tani na presin detyra të reja dhe hapjen e një kapitulli të ri për Komunën e Gjilanit”.
Alban Hyseni ishte kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje për të parin e Gjilanit dhe me 859 vota më shumë, mposhti Lutfi Hazirin nga LDK, i cili kishte qenë në krye të kësaj detyre për katër mandate.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Hyseni kishte marrë 21,374 vota kurse Haziri vetëm 20,515 vota./Shqip.com