Aktori kosovar Jehon Gorani, pjesë e serialit “Diamonds” të Netflix

Aktori i njohur kosovar, Jehon Gorani, do të bëhet pjesë e serialit “Diamonds”, prodhuar nga Netflix.
Gorani, në serial luan rolin e mafiozit kryesor, i cili kontrollon portin e Antwerpit.
Seriali “Diamonds” me regji të Rotem Shamir, është tregim për një familje hebreje e cila është e zhytur në nëntokën e Antwerpit – qendrës më të madhe të diamantëve në botë.
“Një nga anëtarët e familjes nuk dëshiron të jetë pjesë e bizneseve të ndyra andaj edhe largohet nga familja por pas një tragjedie familjare obligohet të kthehet dhe merr biznesin familjarë – rrjedhimisht detyrohet të hyjë në ujërat e turbullta”, ka treguar Gorani për Shqip.com.

Ai, thotë se është ftuar nga vetë produksioni që të bëhet pjesë e serialit.
“Jam kontaktuar nga produksioni i serliat pasi që profili im duket se ishte i përshtatshëm për këtë rol. Kur bëhet fjalë për role më të mëdha atëherë gjithmonë konsiderohen disa kandidatë dhe shikohet në audicion. Meqë ky rol nuk ishte i vogël atëherë edhe për këtë nevojitej audicioni – ku edhe e mora rolin”, është shprehur ai.

Ndërkaq, ai thotë se secili rol që vije, qoftë negativ apo pozitiv ka rëndësinë e veçantinë e tij.
“Dashuria ndaj rolit nuk ka dallim – qoftë roli shumë i vogël apo i madh, negativ apo pozitiv. Aktori bën të pamundurën që rolin që e merr ta bëjë më së miri që është e mundur, më mirë se të mëparshmin e më dobët se të ardhshmin.”

Tutje, Gorani ka treguar që seriali pritet të shfaqet në fund të vitit 2022, por që gjithçka varet nga situata pandemike.
/Shqip.com