Lajme

Aksidentohet vetura e Policisë: Një polic dhe një qytetar të lënduar

Aksidentohet vetura e policisë në rrugën Pejë-Deçan

Një zyrtar policor dhe një qytetar kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur midis veturës zyrtare të policisë dhe një tjetër automjeti civil.

Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Shqip.com, zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:20, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.

I pyetur për gjendjen shëndetësore të tyre, Gashi tha se që të dy janë jashtë rrezikut për jetë.

“Rreth orës 08:20 në magjistralen Pejë-Deçan, në fshatin Drenoc, ka ndodhur një aksident trafiku midis dy veturave, njëra nga veturat është pronë e Policisë së Kosovës dhe tjetra civile. Si pasojë e këtij aksidenti, dy persona kanë pësuar lëndime trupore me ç’rast janë dërguar në Spital Rajonal për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e aksidentit”, ka thënë ai.

“Prej të lënduarve, njëri është zyrtar policor i cili ishte në detyrë zyrtare duke vozitur. Pra njëri nga të lënduarit është nga ana e policisë, tjetëri është qytetar. Lëndimet nuk janë të rënda, meqenëse pjesëtari i Policisë është ende i shtrirë në spital, por që të dy janë jashtë rrezikut për jetë”, shtoi Gashi.

Redaksia ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet se si vetura e policisë ka dalë nga rruga. /Shqip.com