AKK jep sqarim për rastin e Arta Rama-Hajrizit dhe Xhavit Halitit: Nuk kemi bërë asnjë lëshim

Agjencia kundër Korrupsionit, ka dalë me një sqarim rreth publikimit të regjistrave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë publik, njofton Shqip.com.
AKK thekson se i gjithë procesi i pranimit të formularëve të deklarimit të pasurisë nga Agjencia është bërë në formën elektronike si dhe përmes postës.
Lidhur me të dhënat e pasurisë të ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, AKK thotë se nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë.
“Sa i përket publikimit të deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik Arta Rama-Hajrizi, formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Agjencisë, e që nënkupton se Agjencia nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë”, thuhet në njoftim.
Ndërsa sa i përket deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik, Xhavit Haliti, ka thënë së nuk ekziston asnjë lëshim apo gabim nga ana e Agjencisë.
“Në rastin konkret, deklarimi i pasurisë për zyrtarin e lartë Haliti ende nuk ka qenë publik në kohën kur është publikuar lajmi në media lidhur me të dhënat e zyrtarit, pasi që regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë Xhavit Haliti është publikuar në orën 10:59 datë 29.01.2021, ndërsa lajmi në media është publikuar në mëngjesin e të njëjtës datë. Kjo nënkupton se regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë Haliti, është bërë publik pas pranimit të informatës”, thuhet më tej në njoftim./Shqip.com