Lajme

Ahmeti: Ora policore, masë jologjike dhe e padëshmuar se funksionon

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar ndaj vendimeve të qeverisë për masat e reja shtrënguese kundër Coronavirusit.

Vazhdimi i orës policore sipas tij është një “masë e palogjikshme”, pasi sipas tij nuk është duke dëshmuar se po funksionon.

“3,000 raste të reja, një viktimë dhe përqindje e ulët e hospitalizimeve. 1. Vaksina po funksionon sepse numri i hospitalizimeve dhe vdekjeve është shumë i ulët si përqindje 2. Masat e shtrënguara posaçërisht ora policore janë masa jologjike të padëshmuara që funksionojnë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Ilustrim

Qeveria e Kosovës nëpërmjet një mbledhjeje elektronike ka miratuar masa të reja të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Sipas vendimit të Qeverisë, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00.

Ndërkaq, orari i gastronomisë do të jetë nga 05:00 deri në 21:00, ku muzika në lokale do të lejohet deri në 20:30.

Kurse, me këto masa, të gjithë ata që duan të hyjnë në Kosovë duhet të kenë certifikatën e vaksinimit me tri doza.

Shfrytëzimi i hapësirave të mbyllura lejohet deri në 50 për qind e kapacitetit të hapësirës. Në hapësirat e hapura lejohet shfrytëzimi deri në 70 për qind e kapacitetit të hapësirës./Shqip.com