Ahmeti kritikon Qeverinë, kërkon mbyllje dyjavore të vendit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shprehur i pakënaqur me masat anti-COVID të miratuara nga Qeveria në fund të muajit gusht e që do të zgjasin së paku deri më 13 shtator, njofton Shqip.com.
Ai po kërkon masa më të rrepta, duke përfshirë edhe mbylljen dyjavore.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ahmeti ka dhënë disa sugjerime për Qeverinë Kurti.
“Tash është vonë për kozmetikë. Masat si ajo me Shqipërinë vetëm irritojnë dhe nuk janë zgjidhje për këtë situatë”, ka shkruar ai, duke numëruar disa nga zgjidhjet që sipas tij do të ndihmonin në tejkalimin e situatës.
“1. Mbyllje dyjavore më e rreptë për ta ngadalësuar përhapjen – me grante për biznese
2. Prioritet i vetëm dhe ekip special për prokurim të vaksinave të prodhuesve të ndryshëm.
3. Vaksinim më agresiv me fushata informuese që luftojnë keqinformimin.
4. Decentralizim i vaksinimit – vaksina te qytetari e jo qytetari te vaksina
5. Restriksione për të pavaksinuarit – ndalesa hyrje në gastronomi, hapësira të mbyllura dhe evenimente”, ka thënë ai duke shtuar se përndyrshe do të ketë mbyllje katër mujore gjatë dimrit.
“Edhe një viktimë në ditë është shumë e lëre më 25-30. Skemi njerëz për të humbur”, përfundoi Ahmeti. /Shqip.com