AGK rekomandon proces të ri për zgjedhjen e drejtorit të RTK-së

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit rreth emërimit të drejtorit të ri të RTK-së.
AGK-ja e ka konsideruar emërimin e Rilind Gërvallës, si mbështetes i VV-së, në pozitën e drejtorit, përbën konflikt interesi dhe e cenon privatësinë e transmetuesit publik.
“Gërvalla ka demonstruar publikisht mbështetjen për partinë në pushtet dhe e ka promovuar atë aktivisht”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Tutje, Asociacioni i Gazetarëve, ka rekomanduar një proces të ri për drejtor, i cili do lejonte depolitizimin e transmetuesit publik.
“Ne besojmë që një proces i ri rekrutimi, në baza të meritokracisë dhe pa ndërhyje politike është i nevojshëm dhe do të lejonte vazhdimin e depolitizimit të transmetuesit publik, dhe do të krijonte atmosferë ku gazetarët mund të veprojnë të lirë pa presion politik.
Ky zhvillim do të ndikojë negativisht në renditjen e Kosovës sa i përket lirisë së medies”, thuhet në komunikatën e AGK-së.
Kujtojmë se, emërimi i Rilind Gërvallës në pozitën e drejtorit të RTK-së, ka shkaktuar reagime të shumta edhe nga radhët e opozitës.
Ata e kanë cilësuar këtë veprim si cenim të fjalës së lirë dhe kapje flagrante e transmetuesit nga partia në pushtet.
/Shqip.com